
Sot, edhe me vapë se dje
Masat e nxehta dhe të fuqishme ajrore me origjinë nga Afrika Veriore janë fuqizuar sot më tej, duke ngritur vlerat maksimale deri në 39°C.
Këto masa pritet të intensifikohen edhe më shumë gjatë ditës së sotme dhe sidomos të shtunën, kur temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 43 apo 44°C – duke thyer rekordin absolut të temperaturës më të lartë të regjistruar ndonjëherë në Kosovë. Deri më tani, ky rekord mbahet nga vlera prej 42.0°C, e regjistruar më 24 korrik 2007 në Prizren, ndërsa më herët, po ashtu në Prizren, ishte regjistruar 40.8°C më 25 korrik 1987, njofton MeteoKosova.
Bashkë me fuqizimin e këtyre masave ajrore, pritet të depërtojnë edhe koncentrime të larta të pluhurit saharian në atmosferë, të cilat mund të zbehin dukshmërinë, turbullojnë pamjen e qiellit dhe të ndikojnë negativisht në cilësinë e ajrit.