Sot fillojnë afatet për koalicione, certifikim të subjekteve politike dhe dorëzim të listës së kandidatëve për deputetë

24 nëntor 2025 | 07:42

Duke filluar nga dita e sotme (24 nëntor) do të fillojnë disa afate të aktiviteteve zgjedhore që kanë të bëjnë me subjektet politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Formimi i koalicioneve nga partitë politike, aplikimi për certifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje si dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë, janë disa nga aktivitetet kryesore zgjedhore që sipas KQZ-së do të zhvillohen në afate të ndryshme.

Aplikimi për certifikim të subjekteve politike, 24 nëntor – 30 nëntor

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar për Gazeta Express se subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të plotësojnë online formularin e aplikimit për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Duke filluar nga data 24 nëntor dhe deri më 30 nëntor, subjektet duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Formulari, i cili është i ngjashëm me të poceseve të kaluara zgjedhore, është i vendosur në platformën elektronike të KQZ-së dhe i njëjti duhet të plotësohet online”, tha Elezi.

Dorëzimi i listave me kandidatët për deputetë, 24 nëntor – 7 dhjetor

Gjithashtu, duke filluar nga data 24 nëntor, subjektet politike (partitë politike, koaliciont, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) mund të dorëzojnë listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë. Për të përgatitur këto lista me kandidatë për deputetë, KQZ u ka dhënë subjekteve politike afat 2-javor.

“Duke filluar nga 24 nëntori dhe deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike duhet të dorëzojnë në KQZ listën me emrat e kandidatëve për deputetë që kërkojnë të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme. Ky afat shënon një moment vendimtar në procesin zgjedhor, pasi pikërisht në këtë periudhë subjektet politike do të formalizojnë kandidatët për deputetë me të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet e funddhjetorit”, tha Elezi.

Deklarimi i koalicioneve dhe mospjesëmarrjes në zgjedhje, 24 nëntor – 30 nëntor

Brenda kësaj jave, partitë politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet ta njoftojnë KQZ-në për këtë mënyrë të përfaqësimit në garën elktorale.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyrë. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 nëntor 2025”, ka thënë Elezi.

Elezi ka theksuar se partia politike e cila vendos të bëhet pjesë e një koalicioni ka detyrimin të respektojë rregullat e tij.

“Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike. Partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, tha Elezi.

Gjithashtu, deri më 30 nëntor 2025 është afati edhe për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forcat ruse organizuan një sulm “masiv” me dron të dielën…