Sot i përmbyllim të gjitha çështjet me partnerët

29 prill 2020 | 08:03

I propozuari i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar dje se me subjektet politike të cilat po synojnë ta formojnë qeverinë e re sot do t’i përmbyllin të gjitha çështjet dhe do të dalin para qytetarëve me qeverinë e re. Sipas tij, është çështje ditësh kur pritet të votohet kabineti i tij qeverisës në Kuvendin e Kosovës.

“Jemi në fazën finale të përmbylljes së marrëveshjeve me të gjitha partitë dhe grupet parlamentare që do të jenë pjesë e këtij koalicioni qeverisës. Besoj se shumë shpejt do t’i përmbyllim të gjitha marrëveshjet dhe shpejt do të dalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta votuar qeverinë e re. E them me kënaqësi që bisedat janë përmbyllur në masë të madhe sepse pajtimi ka qenë më herët në mes të gjitha partive politike që do të jenë pjesë e këtij koalicioni. Besoj se janë marrëveshje që marrin parasysh peshën specifike që ka secili prej partnerëve të koalicionit. Jemi të vetëdijshëm se do ta marrim qeverisjen e vendit në një situatë bukur të vështirë me pandeminë, me nevojën që shpejt të intervenojmë në ekonomi dhe t’i kthejmë miqësitë që janë lënduar gjatë javëve dhe muajve të fundit. Jemi të vetëdijshëm për këtë, por edhe të përgatitur me një ekip të shkëlqyeshëm. Unë jam shumë i kënaqur me ekipin që është duke u formësuar dhe besoj se nesër t’i përmbyllim të gjitha çështjet dhe dalim para juve dhe para qytetarëve me qeverinë e re”, tha ai.

Hoti para gazetarëve tha se kanë marrë pajtimin e të gjitha partive për koalicionin bashkëqeverisjes, përshirë AKR-në e Behgjet Pacollit. Ai theksoi se pjesëmarrja e listës serbe do të jetë në përputhje të fuqisë politike që ka dhe në përputhje me normat kushtetuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-futbollisti i Kombëtares Shqiptare Edvin Murati i cili ka luajtuar…