Sot KQZ nis rinumërimin e 185 vendvotimeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të kryejë rinumërimin e 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat më parë janë përpunuar në Qendrat Komunale të Numërimit. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas tij, vendvotimet që do t’i nënshtrohen rinumërimit përfaqësojnë 7.41 për qind të totalit prej 2,498 vendvotimeve ku qytetarët votuan në zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Elezi ka njoftuar se ky proces do të nisë të enjten, më 18 qershor, në orët e paradites. Ai ka theksuar se vendimi është marrë me qëllim të verifikimit të rezultateve dhe garantimit të saktësisë së procesit zgjedhor.
Ndërkohë, rezultatet zyrtare të publikuara nga KQZ-ja tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca më e madhe politike, duke siguruar 53 mandate në Kuvend me 47.13 për qind të votave. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka fituar 22 ulëse parlamentare me 19.44 për qind të votave.



