Sot mbahet seanca për shkarkimin e qeverisë Kurti

25 mars 2020 | 08:17

Kuvendi i Kosovës sot në orën 11.00 do të mbajë  seancë për ta shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës propozuar nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Seanca mbahet me kërkesë të 44 deputetëve.

Në këtë seancë nuk do të ketë mysafirë të pranishëm, pasi hapësira e sallës së Kuvendit do të nevojitet për distancë ndërmjet deputetëve për shkak të situatës me koronavirus dhe sipas rekomandimeve të ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës.

Por, lidhur me çështjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti kanë reaguar edhe ambasadat.

Franca dhe Gjermania janë shprehur të brengosura për situatën politike në Kosovë në kohën kur uniteti politik është i nevojshëm për t’u përballur me krizën e COVID 19.

Në një deklaratë të përbashkët të ministrive të jashtme të këtyre dy vendeve thuhet se “Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe plotësisht funksionale për t’u përballur me këtë krizë. Prandaj, u bëjmë thirrje që vota e votëbesimit ndaj Qeverisë të rishqyrtohet ose të shtyhet”.

Sa iu përket marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, diplomacitë e këtyre dy vendeve thonë se “presim që të dyja palët t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’i hequr pengesat për rifillimin e dialogut”.

Për dallim prej këtyre, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se i vjen mirë që në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. “Jam i kënaqur të shoh që Kuvendi do të mbajë nesër seancën për votimin e mocionit. Siç i kam thënë kryeministrit sot, është e rëndësishme që Kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës ta respektojnë Kushtetutën”, ka shkruar Kosnett në “Twitter”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një kohë kur vendi ynë po përballet me një…