Sot mblidhen ministrat e BE-së në Bruksel

16 dhjetor 2025 | 08:37

Ministrat për çështje evropiane të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sot në Bruksel do të diskutojnë, në kuadër të takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme (GAC), përfundimet mbi politikën e zgjerimit të BE-së.

Fokus i veçantë i diskutimeve do të jetë Serbia, së cilës i përcillet mesazhi i qartë se ritmi i afrimit me Bashkimin Evropian varet drejtpërdrejt nga përparimi në sundimin e ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Në këtë takim pritet të miratohen përfundimet e përgatitura mbi bazën e raportit vjetor të Komisionit Evropian, i cili vlerëson progresin e secilit vend kandidat. Këto përfundime më pas do të konfirmohen zyrtarisht në Samitin e BE-së më 18 dhe 19 dhjetor.

Në draft-dokumentin, të cilin Radio Evropa e Lirë (RSE) e ka siguruar, vendet kandidate ftohen të shfrytëzojnë mundësinë dhe të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar rrugën drejt BE-së. Theksohet se procesi i zgjerimit duhet të udhëhiqet nga kriteret e Kopenhagës, parimet e vendosura dhe metodologjia ekzistuese, ndërsa përparimi i vendeve do të vlerësohet sipas meritave individuale.

Këshilli pret që të gjitha vendet kandidate ta harmonizojnë plotësisht politikën e tyre me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë edhe masat kufizuese.

Nga Serbia kërkohet që të përshpejtojë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe të zbatojë në mënyrë konsekuente ligjet për mediat dhe Listën e Unifikuar të Zgjedhësve. Komisioni Evropian ka vlerësuar se Serbia është teknikisht e gatshme për hapjen e klasterit negociues 3 për konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, por Këshilli i BE-së do t’i rikthehet kësaj çështjeje varësisht nga progresi i mëtejshëm i Serbisë, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën.

Në draft-dokument, BE-ja bën thirrje për uljen e tensioneve dhe tejkalimin e polarizimit të thellë në shoqërinë serbe. Shprehet keqardhje për prapakthimin në lirinë e shprehjes dhe të mediave dhe kërkohen reforma konkrete dhe të prekshme në sundimin e ligjit. Nga Beogradi dhe Prishtina pritet zbatim i plotë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit nga Ohri i vitit 2023.

Këshilli shpreh shqetësim për përshpejtimin e lëshimit të pasaportave serbe për shtetas rusë, duke e vlerësuar këtë si një kërcënim potencial për sigurinë e BE-së. Megjithatë, BE-ja mirëpret faktin që integrimi evropian mbetet interes strategjik i Serbisë, por pret që kjo të dëshmohet përmes veprimeve konkrete dhe reformave reale.

Theksohet se liria e tubimit duhet të mbrohet, siguria e gazetarëve të garantohet dhe çdo dhunë apo përdorim i tepruar i forcës gjatë protestave të hetohet në mënyrë të plotë dhe të paanshme. Serbia ftohet të deeskalojë tensionet dhe të kapërcejë polarizimin përmes dialogut gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara, përfshirë shoqërinë civile.

Në dokument shprehet keqardhje për regresin në lirinë e mediave dhe nënvizohet rëndësia e mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pakicave. Edhe pse përshëndetet miratimi i ligjeve për media, theksohet nevoja për zbatim të plotë të tyre, përfshirë përfundimin e shpejtë të emërimit të anëtarëve të Këshillit të REM-it.

Këshilli vlerëson se në gjyqësor nuk është shënuar përparim i dukshëm, ndërsa në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është arritur progres i kufizuar. Serbia ftohet të përshpejtojë reformat dhe të arrijë rezultate konkrete, veçanërisht në kapitujt 23 dhe 24.

Sa i përket dialogut Beograd–Prishtinë, Këshilli i BE-së thekson se përparimi në integrimet evropiane varet nga zbatimi i plotë dhe pa vonesa i të gjitha obligimeve të marra. Serbia ftohet të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2023 dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, theksohet nevoja për reintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë gjyqësorin dhe policinë.

Në përfundim, Këshilli i BE-së shpreh shqetësim të thellë që Serbia nuk i ka përmbushur pritshmëritë lidhur me përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator 2023, duke kërkuar reagim të plotë, hetim serioz dhe respektim të procedurave në kuadër të dialogut për drejtësinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FBI, në bashkëpunim me policinë e Providence, ka ofruar një…