
Sot mblidhet Kuvendi, 30 ditë afat për konstituim
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një tjetër përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë, kjo hera e parë pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas njoftimit zyrtar, seanca do të nisë në orën 11:00, me rend dite zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Ky është vazhdimi i seancës konstituive, e cila deri më tani ishte pezulluar për shkak të masës së përkohshme të Kushtetueses që ndalonte deputetët të merrnin vendime.
Ndërkohë, ditë më parë, Kushtetuesja ka publikuar aktgjykimin, i cili specifikon se seanca konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë.