Sot ndeshja Ferizaj – Suhareka, nesër dy derbi

07 mars 2025 | 10:52

Dy ndeshje derbi do të zhvillohen në xhiron e 23-të të Superligës së Kosovës në futboll. Kjo xhiro fillon sot (e premte) me ndeshjen në mes të Ferizajt dhe Suharekës, e cila fillon nga ora 14:00.  Ferizaj pësoi humbje në ndeshjen e fundit dhe tash synon t’u kthehet rezultateve pozitive, derisa synim të njëjtë ka edhe Suhareka që ka pësuar humbje në tri ndeshjet fundit në elitë.

Të shtunën zhvillohen dy ndeshjet derbi ku vëmendja do të jetë në ndeshjen në mes të Ballkanit dhe Prishtinës. Në xhiron e fundit, Ballkani u befasua nga Malisheva dhe tash pret fitore ndaj kryeqytetasve në mënyrë që mos të lejojë të shtohet diferenca e pikëve me skuadrën lidere, Dritën. Prishtina synon të marrë rezultat pozitiv nga kjo ndeshje dhe ta vazhdojë ngritjen në tabelë. Duhet cekur se  prishtinasit nuk dinë për fitore qe shtatë ndeshje dhe kjo ka bërë që të përfundojnë në vendin e pestë në tabelë.

Ndeshje shumë interesante do të jetë edhe ajo që zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, mes Llapit dhe Dritës. Pas dy barazimeve në dy ndeshjet e fundit, skuadra e Tahir Batatinës kërkon tri pikët ndaj kryesuesve të elitës, derisa gjilanasit do të vijnë të motivuar për fitore në mënyrë që ta ruajnë epërsinë e pikëve me skuadrat përcjellëse. Të dielën Gjilani e pret Feronikelin ’74, derisa në ndeshjen tjetër forcat do t’i matin Dukagjini i Klinës dhe Malisheva. Malishevasit synojnë pikët e plota, pasi mund të inkuadrohen në garën për titullin me ndonjë dështim të Dritës. Pritshmëri të mëdha kanë edhe djelmoshat që drejtohen nga Ismet Munishi pasi me tri pikë do të largohen nga pjesa e poshtme e tabelës.

SUPERLIGA

Të premten takohen:
Ferizaj – Suhareka

Të shtunën takohen:
Ballkani – Prishtina
Llapi – Drita

Të dielën takohen:
Gjilani – Feronikeli ’74
Dukagjini – Malisheva

/EPOKA E RE/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se sot shënojmë…