Sot nis vaksinimi kundër Covidit në Shqipëri, Rama ka një mesazh për shqiptarët

11 janar 2021 | 12:09

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka nisur ditën me rikujtimin se sot nis fushat e vaksinimit në vend ndaj Covid-19.

Rama ka thënë se tashmë lufta ndaj virusit ka hyrë në fazën e ofensivës së madhe për largimin e tij përfundimtar nga jeta jonë.

“Mirëmëngjes, dhe pak orë nga nisja e fushatës së vaksinimit #Shqipëriabuzëqesh, duke ju marrë pak minuta nga koha juaj, për të hedhur vështrimin pas në orët, minutat, ditët, javët e muajt e jashtëzakonshëm të luftës me armikun e padukshëm, e cila sot hyn në fazën e ofensivës së madhe për largimin e tij përfundimtar nga jeta jonë, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Facebook”.

Vaksinimi në Shqipëri do të fillojë më shpejt se çfarë ishte parashikuar, teksa të parët që do marrin prodhimin e Pfizer/BioNTech janë mjekët, më pas të moshuarit.

Shqipëria ka marrë dozat e para, të cilat janë në masën 10 mijë e 750, disa prej të cilave do i jepen Kosovës. Po ashtu edhe Greqia ka dhuruar doza të vaksinave. Vaksina në Shqipëri është falas dhe jo e detyrueshme, teksa momentalisht qendra e parë e vaksinimit është hapur në stadiumin “Air Albania”.

Më 1 janar, Rama pati thënë se Shqipëria ka siguruar 500 000 doza të vaksinës anti-Covid-19, nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer. “Kjo është nisja më e mirë e mundshme e këtij viti vendimtar të zmbrapsjes përfundimtare të këtij armiku të padukshëm”, kishte thënë kryeministri shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara do të shpallin rebelët huthi të Jemenit…