Sot nisin Lojërat Olimpike Dimërore, këto gara transmetohen sot në RTK

07 shkurt 2026 | 11:18

Sot nisin zyrtarisht garat e Lojërave Olimpike Dimërore `Milano–Cortina 2026`, një nga ngjarjet më të mëdha sportive globale, të cilat për publikun kosovar do të transmetohen ekskluzivisht në Radiotelevizionin e Kosovës.

Dita e parë olimpike vjen me një program të pasur sportiv në ekranin e RTK-së. Transmetimet nisin nga ora 11:30 me disiplinën e lëshimit në skijim alpin për meshkuj. Më pas, nga ora 13:55 do të transmetohen kualifikimet në skijim në stil të lirë për meshkuj.

Programi vijon nga ora 17:00 me përmbledhjen e momenteve më të rëndësishme të ditës. Në mbrëmje, nga ora 19:30 do të transmetohen finalet e snoubordit Big Air për meshkuj, një nga disiplinat më atraktive dhe spektakolare. Dita e parë olimpike do të mbyllet me një tjetër edicion të përmbledhjeve të garave kryesore nga ora 23:00.

Në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 marrin pjesë rreth 2.800 sportistë nga 92 shtete të botës. Kosova përfaqësohet nga dy skitarë: Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu, të cilët do të garojnë në disiplinat e tyre përkatëse.

Garat olimpike zhvillohen në disa qytete dhe qendra të Italisë, përfshirë Milanon, Cortina d’Ampezzo, Livignon, Bormion dhe Val di Fiemmen.

Radiotelevizioni i Kosovës, si transmetues ekskluziv për territorin e Kosovës, do të ofrojë mbi 125 orë program olimpik deri më 22 shkurt, duke sjellë nga afër emocionet, garat dhe emocionet e Lojërave Olimpike Dimërore ‘Milano–Cortina 2026’.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Alba Pollozhani, banorja e “Big Brother VIP Kosova” 4, ka…