Sot përballen Ballkani dhe Feronikeli

03 qershor 2020 | 10:20

Kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli, i cili ishte edhe fitues i Kupës së Kosovës në edicionin 2018/2019, është përgatitur maksimalisht për ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Ballkanit e cila zhvillohet sot nga ora 16:00 në Suharekë.

Mbrojtësi i djathtë i “Niklit”, Përparim Islami, të martën në bisedë për “Epokën e re” ka shprehur optimizëm se në këtë ndeshje klubi nga Drenasi do të dalë me rezultat të favorshëm dhe kualifikimin në finale e siguron në ndeshjen kthyese. “Jemi të gatshëm për ndeshjen ndaj Ballkanit dhe jemi përgatitur aq sa kemi pasur kohë. Ballkani ka një ekip të mirë, por synimi ynë është të dalim në Evropë dhe shpresojmë në rezultat pozitiv në ndeshjen e parë në mënyrë që në ndeshjen e kthimit të jemi më të qetë”, ka thënë Islami, i cili ka konfirmuar se klubi nga Drenasi është i kompletuar për këtë ndeshje.

Futbolli u rikthye në Kosovë pas një pauze të gjatë për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit dhe ky pushim ka ndikuar negativisht në përgatitjen fizike të futbollistëve. Ballkani u kualifikua në gjysmëfinale të Kupës pasi në çerekfinale e mposhti skuadrën e Dukagjinit të Klinës (2-0), kurse Feronikeli e eliminoi nga Kupa Lirinë e Prizrenit (0-2).

Ndërsa futbollisti i Ballkanit, Arbër Hoxha, ka thënë se kundërshtari ka një skuadër të fortë, por synimi i liderëve të elitës është arritja në finale dhe triumfi në garën e Kupës. “Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen që na pret me ‘Niklin’. Gjithsesi e kemi analizuar kundërshtarin mjaft mirë deri në këto çaste dhe shpresoj shumë në kualifikimin në finale”, ka thënë Hoxha, i cili e ka pranuar se të gjitha skuadrat do të kenë telashe pas pauzës së gjatë për shkak të pandemisë. Për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës foli edhe Arbër Potoku, i cili ka parashikuar se Ballkani do të kualifikohet në finale. “Sigurisht që pauzat nuk janë të mira për asnjë futbollist, por kështu është situata dhe duhet të pajtohemi. Besoj se kemi stërvitur dhe jemi përgatitur mjaftueshëm që të fillojmë me në fund me ndeshjet e Kupës po ashtu edhe në ndeshjet kampionate, kurse synimet tona janë që të tregojmë lojëra të bukura siç kemi treguar deri me tani. Me kualitetit që kemi besoj se do të kualifikohem në finale të Kupës”, ka thënë Potoku për “Epokën e re”. Siç dihet, klubi që triumfon në garën e Kupës merr pjesë në Ligën e Evropës. Në edicionin e kaluar në këtë garë është paraqitur skuadra e Prishtinës, e cila e kishte mbyllur kampionatin në vendin e dytë dhe Feronikeli kishte triumfuar në të dyja garat.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Javën që shkoi revista “Forbes” akuzoi Kylie Jenner se ka…