Sot përballen Vëllaznimi – Rahoveci dhe Ylli – Ponte Prizreni

06 mars 2021 | 08:20

Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 22-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.

Takimi më interesant i kësaj xhiro do të jetë ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Ponte Prizrenit, të dyja skuadrat që kanë grumbulluar nga 35 pikë apo 14 fitore dhe shtatë humbje, duke u renditur në vendin e parë, përkatësisht të dytë. Takimi pritet të jetë shumë interesant dhe do të mësohet se kush do të kryesojë e vetme në tabelë.

Vëllaznimi që mundi Sigal Prishtinën dhe Pejën, do të mundohet të vazhdojë me rezultate pozitive, ku në këtë xhiro do të ballafaqohet me Rahovecin, që hyn i motivuar pas fitores ndaj Golden Eagle Yllit në fundjavë. Kuqezinjtë kanë gjashtë fitore dhe 15 humbje, derisa “Vreshtarët” 13 fitore dhe tetë humbje. E diela është e rezervuar për skuadrat rivale në basketbollin e Kosovës. Trepça do të ballafaqohet me Bashkimin. Mitrovicasit janë në formë shumë të mirë dhe këtë formë të mirë do të mundohen ta vazhdojnë edhe përballë prizrenasve, që në dy xhirot e fundit pësoi humbje nga Ponte Prizreni dhe Sigal Prishtina.

Trepça ka tetë fitore dhe 13 humbje, derisa Bashkimi 10 fitore dhe 11 humbje. Përballja e fundit është ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës, dy rivalët e vjetër. “Bardhekaltrit” pësuan nga Vëllaznimi, por fituan ndaj Bashkimit, kurse pejanët hyjnë me ndryshime, ku së fundi si trajner është angazhuar ish-trajneri i prishtinasve, Dragan Radoviq. Prishtinasit kanë shtatë fitore dhe 14 humbje, kurse pejanët 12 fitore dhe nëntë humbje.

SUPERLIGA – Java 22

Të shtunën takohen:
17:00 Vëllaznimi – Rahoveci
19:00 Golden Eagle Ylli – Ponte Prizreni

Të dielën takohen:
17:00 Trepça – Bashkimi
19:00 Sigal Prishtina – Peja

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Duhet të kisha më shumë konsideratë”, tha James Arthur derisa…