
Sot përpjekja e 36 për konstituimin e Kuvendit
Deputetët do të tentojnë për herë të 36-të, sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Të shtunën vazhdoi seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën drejtimin e deputetit Avni Dehari.
Kryesuesi Avni Dehari përsëriti kërkesën për subjektet politike që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por serish nuk pati propozime.
Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.
Kryesuesi i seancës konstituive konstatoi se 51 deputetë kanë votuar për, një ishte kundër, ndërsa abstenim nuk kishte asnjë. Për rrjedhojë, Kuvendi do të mblidhet serish brenda 48 orësh, përkatësisht më 23 qershor, në orën 11:00.
Ndërkohë çdo përfundim të vazhdimit të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.