
Sot përurohen tre libra të rinj të Sabri Hamitit
Sot (e martë), me fillim nga ora 10:00, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës do të përurohen tre libra të rinj të poetit, kritikut, prozatorit dhe dramaturgut tonë të njohur Sabri Hamiti.
Në këtë ngjarje letrare do të paraqiten këta libra të botuar së fundmi:
“Prishtina mon amour”, një antologji poetike që i kushtohet Prishtinës si hapësirë identitare, kulturore dhe shpirtërore. Përmbledh poezi nga shtatë libra të mëhershëm të autorit, duke sjellë figura dhe fenomene kyçe të kryeqytetit në një rrëfim poetik liriko-metafizik.
“Maja”, dramë në tri akte e dy kohë, e shkruar më 2007 dhe botuar tani për herë të parë. Tematizon luftën për çlirimin e Kosovës përmes historisë së një artisti të kthyer në luftëtar që bie dëshmor në betejën për liri.
“The Literary Canon”, përmbledhje tekstesh kritike në gjuhën angleze, frënge dhe sllovene, përzgjedhur nga botimet e autorit në 25 vitet e fundit.
Për librat do të flasin prof. dr. Muhamet Hamiti dhe prof. dr. Nysret Krasniqi.
Ngjarja organizohet në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe është e hapur për publikun, studiuesit, studentët dhe të gjithë të interesuarit për letërsinë dhe mendimin estetik.