Sot priten takime të reja mes Kurtit dhe dy partive opozitare për çështjen e Presidentit
Takimet që i ka nisur të dielën që shkoi, me kreun e PDK’së Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun të hënën, kryeministri Albin Kurti që është edhe kryetar i VV’së, pritet t’i vazhdojë edhe sot. Një burim nga partitë politike, të involvuara në negociata i ka thënë Express-it “se sot mund të ketë takime mes Kurtit dhe liderëve të opozitës”. Express ka kontaktuar përfaqësues të këtyre partive, por zyrtarisht nuk ka mundur të marrë konfirmim.
Duke njoftuar për takimin me Hamzën të dielën, Zyra e Kryeministrit Kurti kishte njoftuar se dy palët kishin konstatuar që “bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”. Ndërsa, Hamza kishte shkruar se PDK nuk mbështet kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetitin qytetar.
Kreu i LDK’së Lumir Abdixhiku pas bisedimeve me Kurtin kishte thënë se zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet ose përmes konsensusit të gjera të partive ose në marrëveshje politike mes tyre. Kurti të hënën ka hedhur poshtë mundësinë e një marrëveshjeje veç me LDK’në duke thënë se votat mund të mos mjaftojnë. Kurti, ndërkaq, i pyetur nëse do ta kandidojnë Vjosa Osmanin ose dikë nga familja Jashari, ka thënë se “zgjidhja është mes tri subjekteve politike”, pasi i kanë vetëm 66 vota si VV bashkë me pakicat.
Kurti ka bërë me dije se ka qëndruar në Prekaz, ndërsa gjatë javës partia në pushtet ka përmendur familjen Jashari duke thënë se një emër nga ta krijon konsensus në shoqëri. Por, vetë Murat Jashari e ka hedhur poshtë mundësinë e kandidimit. Të njëjtën e ka bërë edhe Bekim Jashari.



