Sot pritet të arrijnë edhe 3 185 pako me fletëvotime nga diaspora, numërimi i tyre planifikohet të fillojë rreth orës 19:00

08 janar 2026 | 15:15

Sot (e enjte) pritet që në Kosovë të arrijnë edhe 3 185 pakot e fundit me fletëvotime, të cilat janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1 962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125) dhe Otavë (404).

Ky lajm është bërë me dije nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se numërimi i këtyre fletëvotimeve planifikohet që të fillojë të enjten në mbrëmje, rreth orës 19:00.

“Fillimisht, këto pako do të përfshihen në procesin e vlerësimit dhe verifikimit, me qëllim të vërtetimit nëse të njëjtat janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe pastaj, fletëvotimet e aprovuara do të numërohen. Planifikojmë që numërimi të fillojë sonte rreth orës 19:00”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, “numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”.

Elezi ka treguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ-ja është e gatshme të shpall rezultatin përfundimtar, por ky institucion duhet të presë të kalojë afati për ankesa të mundshme në administrimit e numërimit.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ-ja është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, ka thënë Elezi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dimri ka mbërthyer rajone të tëra të Evropës, duke shkaktuar…