
Sot zhvillohen katër ndeshje në Superligë
Skuadra e Arbërisë ka marrë tri pikë të arta në garën për mbijetesë në Superligën e Kosovës në futboll, pasi e mposhti të martën Feronikelin (0-1).
Ndërsa katër ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje zhvillohen sot (e mërkurë). Ballkani e pret në Suharekë skuadrën e Llapit dhe synim do të ketë marrjen e tri pikëve dhe ruajtjen e pozitës së parë në elitë, të cilën e mori të dielën falë humbjes së Dritës nga Prishtina. Llapi është i koncentruar në finalen e Kupës dhe në këtë ndeshje nuk ka shumë ambicie.
Prishtina e supermotivuar pas fitores në derbin e fundjavës, kërkon tri pikët e reja në përballje me Trepçën ’89, në ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kampionia në fuqi, Drita, pasi e humbi pozitën e parë, do të kërkojë t’u rikthehet rezultateve pozitive në ndeshjen ndaj Besës së Pejës, kurse Drenica do të ketë punë me Gjilanin. Kjo e fundit nuk është në garë për titull e as për mbijetesë, prandaj kuqezinjtë do të mundohen të marrin pikë në Gjilan.
SUPERLIGA – java 31
Feronikeli – Arbëria 0-1
Të mërkurën takohen:
15:00 Prishtina – Trepça’89
15:00 Gjilani – Drenica
15:00 Ballkani – Llapi
15:00 Besa – Drita
/Epoka e re/