
Sot zhvillohet një ndeshje në Superligë
Superliga e Kosovës në futboll do të rikthehet në këtë mesjavë me ndeshjet e xhiros së 33-të.
Kjo xhiro do të hapet me duelin e sotëm mes Gjilanit dhe Malishevës, i cili do të nisë prej orës 15:00. Ky takim do të jetë i vlefshëm për të dy ekipet.
Gjilanasit, me një fitore eventuale, do t’i rrisnin gjasat për pozitën e tretë, e cila çon në Evropë, e të cilën për momentin e mban pikërisht Malisheva.
E kjo fundit po ashtu do të kërkojë pikë në fushën me bar artificial në qytetin e Gjilanit, për të ruajtur këtë pozitë vitale që e ka pasi momentalisht i ndan pikët e njëjta me Ferizajn, një tjetër pretendent për Evropë.
Kjo xhiro do të vazhdojë me dy ndeshje të tjera që do të luhen nesër dhe dy të tjera pasnesër.
Dukagjini – Prishtina do të jetë një ndeshje mjaft interesante mes ekipeve që synojnë t’i ikin barazhit.
Edhe ballafaqimi mes Llapit dhe Ferizajt pritet me kërshëri të madhe pasi përballë njëri-tjetrit do të vendosen ekipi që kërkon t’i ikën pozitës së barazhit me skuadrën që po e mëton Evropën.
Kampionia e re, Drita do ta vizitojë ndjekësin e deridjeshëm për titull, Ballkani.
Të mërkurën do të ndeshen edhe ekipet e dorëzuara tashmë, Feronikeli 74 – Suhareka.
Të gjitha ndeshjet e xhiros së 33-të do të nisin prej orës 15:00.