SPAK kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut, mblidhet sot Këshilli i Mandateve

28 janar 2026 | 08:25

Këshilli i Mandateve mblidhet sot, më 28 janar, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ministres e njëherësh numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me vendim për ankimin e kryeministrit Edi Rama sa i takon konfliktit të kompetencave me Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO).

Çështja u shqyrtua nga togat e zeza të Kushtetueses më 22 janar dhe bazuar në praktikat e mëparshme, pritej që vendimi të shpallej të martën, 27 janar.

Megjithatë, mësohet se disa prej anëtarëve të kësaj gjykate kanë kërkuar më shumë kohë për të formuar qëndrimin e tyre mbi rastin.

Palët e legjitimura në këtë proces janë kryeministri, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti, si tre institucionet që kanë rolin përkatës në zgjedhjen e një anëtari të qeverisë, si dhe SPAK-u e Gjykata e Posaçme. Kjo e fundit, me një njoftim publik, ka bërë të ditur se nuk mund të jetë palë dhe të dalë përpara një gjykate tjetër si ajo Kushtetuese për të interpretuar një vendim të marrë tashmë, pasi e cilëson këtë si cenim të pavarësisë së shkallëve të gjyqësorit.

SPAK ka kërkuar rrëzimin e ankimit si jo legjitim, pasi, sipas argumenteve të prokurorit Dritan Prençi, duhej pritur më parë shqyrtimi i masës së GJKKO-së nga të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion i kërkoi Kuvendit më 16 dhjetor 2025 autorizimin për arrestimin e Ballukut, e pandehur për shkeljet në tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe.

Mbledhja e cila zgjati afro 4 orë u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pas shumë diskutimesh anëtarët e Këshillit të Mandateve morën USB-në me mbi 10 mijë faqe prova ku SPAK mbështet kërkesën drejtuar Kuvendit.

SPAK-u ka dyshime se Balluku duke qenë në detyrë rrezikon të prishë provat hetimore dhe të intimidojë dëshmitarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për demokracitë liberale me madhësi të mesme, viti 2026 rrezikon…