SPAK-u kërkon heqjen e imunitetit, sot mblidhet Këshilli i Mandateve për Ballukun

19 dhjetor 2025 | 08:05

Debati është përqendruar te një USB që përmban dokumentacionin e SPAK, e cila është depozituar në kasafortën e protokollit të Kuvendit

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit pritet të zhvillojë sot më 19 dhjetor mbledhjen, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, që kërkoi heqjen e imunitetit për zv/kryeministren dhe deputeten Belinda Balluku. Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:30, ndërsa anëtarët e këshillit do të diskutojnë kërkesën pa pasur në dispozicion të gjitha provat e Prokurorisë së Posaçme, pasi materialet konsiderohen sekret hetimor.

Debati është përqendruar te një USB që përmban dokumentacionin e SPAK, e cila është depozituar në kasafortën e protokollit të Kuvendit. Partia Demokratike dhe kryetari i Kuvendit Niko Peleshi kanë pasur qëndrime të kundërta mbi mënyrën sesi duhet trajtuar ky material. Gjatë mbledhjes së sotme, pritet të diskutohet edhe me përfaqësuesit e SPAK sesi mund të sigurohet njohja me provat, pa cenuar sekretin hetimor.

Në relacionin zyrtar dërguar Kuvendit, SPAK rendit arsyet që, sipas tij, e bëjnë të nevojshëm heqjen e imunitetit të Ballukut. Prokuroria pretendon se ajo ka ndërhyrë në manipulimin e 12 procedurave tenderuese. Sipas SPAK, ekziston rreziku që, për shkak të pozitës dhe profilit të saj, Balluku të kryejë veprime penale të tjera.

Gjatë seancës, zëvendëskryeministrja ka të drejtë të paraqitet personalisht ose të përfaqësohet nga avokat mbrojtës, për të dhënë shpjegimet e saj. Në mbledhje do të marrin pjesë edhe prokurorët e SPAK, të cilët do të parashtrojnë argumentet pse kërkojnë heqjen e imunitetit të saj.

Rregullorja e Kuvendit nuk përcakton një afat të saktë për përfundimin e shqyrtimit nga Këshilli, por pas mbledhjes së fundit, ka maksimumi dy javë për hartimin e raportit përfundimtar. Ky raport duhet më pas të votohet në seancën plenare më të afërt. Ligji parashikon gjithashtu një afat tre mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret vendim, kërkesa e prokurorisë bie automatikisht.

Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë vendit për Ballukun. Ndërkohë, nuk u shqyrtua ankesa për pezullimin e saj nga detyra, për t’i lënë kohë Gjykatës Kushtetuese të shprehet mbi ankimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar zgjidhjen e konfliktit të kompetencave me GJKKO-në. Kushtetuesja vendosi rikthimin e Ballukut në detyrë, deri në vendimmarrjen përfundimtare mbi kërkesën e qeverisë.

Hetimet ndaj Ballukut lidhen me disa procedura infrastrukturore. Ajo është e pandehur për shkelje në tenderi për Tunelin e Llogarasë dhe është nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe.  Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit është organi parlamentar që shqyrton kërkesat e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë me mandat parlamentar. Procedura përfshin dëgjesa, raportim dhe më pas votim në seancë plenare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqiptarët renditen të dytët pas rumunëve për numrin më të…