SPAK-u kërkon që Belinda Ballukut t’i hiqet imuniteti, që më pas të arrestohet

16 dhjetor 2025 | 16:02

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur të martën kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për heqjen e imunitetit dhe më pas arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në njoftimin zyrtar, është theksuar se kërkesa konsiston në dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së ministres së Energjisë e Infrastrukturës, njëherësh deputete dhe numri dy i qeverisë.

Ashtu si më herët, SPAK-u argumenton se Balluku është e pandehur për “shkelje të barazisë në tendera”, në kuadër të hetimeve për Tunelin e Llogarasë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:

Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;

“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;

“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;

“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;

“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për…