
Spanja regjistron rekord të temperaturës -35.8 gradë celsius
Spanja regjistroi të enjten temperaturat më të ulëta në histori teksa termometri shënoi -35.8 gradë celsius.
Regjistrimi u bë në stacionin meteorologjik të Vega de Liordes në rajonin e Leon, rreth 210 kilometra në perëndim të Bilbaos. Stacioni është i vendosur në një zonë malore në lartësinë e 1,874 metrave.
Aktualisht kjo temperaturë nuk është konfirmuar nga Agjencia shtetërore e Meteorologjisë (AEMET), nëse konfirmohet ajo do të thyejë rekordin prej -34.1 gradë celsius regjistruar një ditë më parë në malet Pirenej në lindje të Spanjës.
Gadishulli Iberik aktualisht është përfshirë nga stuhia Filomena e cila ka sjellë reshje të dendura dëbore edhe në lartësi 200 metra mbi nivelin e detit edhe në brendësi të gadishullit. Autoritetet presin që në ditët e ardhshme reshje dëbore të ketë edhe në Madrid apo dhe në veriperëndim të Spanjës./ Euronews.al