Spanja do ta pranojë anijen e bllokuar me emigrantë në det

11 qershor 2018 | 17:07

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë se vendi i tij do të shpëtojë një anije të bllokuar në Mesdhe, për të shmangur katastrofën humanitare.

Sanchezi ka thënë se do ta lejojë anijen “Aquarius” të ankorohet në portin e saj, me 629 njerëzit në bord, pasi Italia dhe Malta refuzuan ta bëjnë një gjë të tillë.

Sanchezi ka thënë se anija do të ankorojë në Valencia.

Anija, me 123 të mitur të pashoqëruar dhe shtatë gra shtatzëna në mesin e të tjerëve, është bllokuar qysh në fundjavë në ujërat ndërkombëtarë midis Italisë dhe Maltës.

Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, e ka bllokuar anijen, duke thënë se :shpëtimi i jetëve në det është detyrim, porse transformimi i Italisë në një kamp të madh refugjatësh nuk është”.

Ai ka thënë se Malta duhet ta pranojë “Aquarius”-in, por ka refuzuar, duke argumentuar se një gjë e tillë bie nën juridiksionin e Italisë.

Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, ka thënë se veprimet e autoriteteve italiane shkojnë dukshëm në kundërshtim me rregullat ndërkombëtarë dhe se mund të krijojnë një situatë të rrezikshme për të gjithë të përfshirët.

Bashkimi Evropian dhe Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) kanë bërë thirrje për shpëtimin e anijes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka nxjerrë vendimin për ngritjen e lapidarit…