
Spaqi la futbollin për basketboll: Simonsi ishte kundërshtari më i vështirë
Një nga basketbollistët më të dalluar në Kosovë pasluftës është Valentin Spaqi. Basketbollisti i cili ka luajtur për Bashkimin, Sigal Prishtinën e Mabetexin ka fituar disa trofe në basketbollin e Kosovës dhe ka qenë një lojtar shumë i respektuar nga tifozët.
Spaqi, tashmë trajner, në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së ka treguar si filloi me basketboll, ndeshjen e paharrueshme, kundërshtarin më të vështirë dhe mesazhin për lojtarët e rinj.
“Vendimi për të luajtur basketboll ka qenë në vitin 1994 kur babai im më tha se ka ardhur një trajner nga Italia në Prizren. Duke parë gjatësinë time më tha shko stërvitu tek ai trajner. Tashmë ai trajner ka ndërruar jetë. Nga futbolli u kyça në basketboll, ku pa trajnerin Dërvish Agaj, unë vështirë se do t’ia kisha dalë të arrija këto rezultate në basketboll. Në atë kohë isha 14 vjeç e gjysmë”, ka thënë Spaqi, i cili ka treguar edhe për idhullin e tij në fëmijëri.
“Idhulli im në fëmijëri ka qenë Toni Kukoc, lojtari me numër 7. Ky numër më është lidhur edhe me numrin e fanellës që kisha në futboll”, ka shtuar ai. Sa iu përket trofeve të fituara gjatë karrierës si basketbollist, Spaqi nuk e ka specifikuar ndonjërin si më të rëndësishmin. “Të gjithë trofetë janë një kujtim i mirë dhe kam shumë kujtime të mira nga trofetë. Nuk mund të veçoj ndonjë, por jam i lumtur për trofetë që kam fituar”, ka deklaruar Spaqi. I pyetur se cilën ndeshje nuk mund ta harrosh asnjëherë, Spaqi është përgjigjur: “Ndeshjen që nuk do të harroj asnjëherë është ajo në Mitrovicë me Sigal Prishtinën kundër Trepçës. Ka qenë finalja e Kupës”. Ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi, e ka vlerësuar Hashim Simonsin si kundërshtarin më të vështirë. Spaqi në fund ka dhënë edhe një mesazh për basketbollistët e rinj: “Mesazhi im është të stërviteni sepse tani i keni të gjitha kushtet. Jam në dispozicion t’i ndihmoj në çdo kohë basketbollistët e rinj”.