
Specialja hedh poshtë mocionin e paraqitur nga mbrojtja e Thaçit, reagon deputeti Behrami
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën kërkohej veçim i procedurës në rastin ndaj administrimit të drejtësisë. Lajmi është bërë me dije përmes një komunikate për medie nga DhSK-ja.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake hodhi poshtë mocionin paraprak të dorëzuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit, që ngre kundërshtime lidhur me juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Gjykatësi konstatoi se çështjet e ngritura nuk përbënin kundërshtime juridiksionale dhe hodhi poshtë të dy argumentet e mbrojtjes: se procedurat duhej të ishin nisur nga Trupi Gjykues II dhe se caktimi i Gjykatësit të Procedurës Paraprake ishte në shkelje të Ligjit”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, i cili e ka quajtur “skandaloz”.
“Skandaloze! Trupi gjykues në rastin e krerëve të UÇK-së qysh në fillim kishin konstatuar se nuk ekziston asnjë argument për të ngritur aktakuzë për ‘administrim të drejtësisë’ ndaj presidentit Thaçit dhe të tjerëve. Pas kësaj, Prokuroria e Speciales ka gjetur një gjykatës të Paraprakes (që është më i ulët në hierarki sesa trupi gjykues) dhe lojal ndaj marrëzisë së tyre për të ngritur një aktakuzë turpëruese. Sot, Gjykata Speciale, ashtu siç pritej, i jep të drejtë Prokurorisë, duke ridëshmuar se ajo punon 24 orë për fabrikimin e rasteve kundër krerëve të UÇK-së”, ka shkruar Behrami në rrjetin social “Facebook”.