Specialja planifikon pesë seanca për tri ditë kundër Salih Mustafës

06 qershor 2021 | 13:15

Gjykata Speciale ka intensifikuar procedurat gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa kundër të cilit kjo gjykatë ka ngritur aktakuzë për krime lufte dhe që aktualisht po e mban në paraburgim.

Me datat 9, 10 dhe 11 qershor, kundër Mustafës janë caktuar pesë seanca dhe e para do të fillojë të mërkurën në ora 09:30 e cila do të jetë Konferencë përgatitore për gjykimin.

Të enjten, Specialja ka planifikuar dy seanca kundër Mustafës, por njëra ende nuk është konfirmuar.

“Prokurori k. Mustafës – Konferencë përgatitore për gjykimin 09:30 (mbetet për t’u konfirmuar)”, thuhet në njoftimin e Speciales, derisa është konfirmuar një seancë e mbyllur (ex parte) në ora 14:30.

Njëlloj qëndron situata edhe me të premten. Një seancë e planifikuar “ex partë” dhe e mbyllur ndaj Mustafës në ora 09:30 nuk është konfirmuar ende, por në ora 11:30 do të ketë një seancë të mbyllur ndaj tij, gjithashtu “ex partë”.

Kujtojmë se aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash. Salih Mustafa akuzohet për krime të luftës si: Ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Distria Krasniqi ka arritur në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror “Budapest…