
Specialja: S’ka kërkesë e as vendim publik që Thaçit t’i jepet leje për të marrë pjesë në varrimin e babait
Gjykata Speciale e Hagës, përmes zëdhënësit Michael Doyle, ka deklaruar se aktualisht s’ka as kërkesë publike e as vendim publik të ndonjë gjyqtari lidhur me lirimin e mundshëm të ish-presidentit Hashim Thaçi për të marrë pjesë sot në ceremoninë e varrimit të babait të tij në Burojë të Skenderajt.
Doyle në një përgjigje për “Klankosova.tv”, ka theksuar se Specialja i publikon të gjitha dokumentet publike në faqen e gjykatës.
“Të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara. Aktualisht nuk ka kërkesa apo vendime publike për këtë çështje”, ka thënë ai.
Doyle ka thënë se deri më sot, Dhomat e Specializuara kanë menaxhuar 13 vizita në Kosovë për të paraburgosurit.
“Deri më tani, Dhomat e Specializaura kanë menaxhuar 13 vizita të mbikëqyrura në Kosovë për të paraburgosurit”, ka thënë Doyle.
Derisa të hënën, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka bërë me dije se ish-presidentit Hashim Thaçi, nuk iu ka lejuar pjesëmarrja në varrimin e babait.
Kjo ka ngjallur reagime të shumta në opinion duke u cilësuar si “çnjerëzore”.
Në mesin e reagimeve ishte edhe ajo e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se do t’i shkruajë një letër kryetares së Speciales, Ekaterina Trendafilova për t’iu ankuar.
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të do të varroset sot në ora 15:00 në fshatin Burojë të Skenderajt.