
Specialja ua refuzon kërkesat për lirim të përkohshëm Veselit, Krasniqit dhe Selimit
Trupi gjykues në rastin “Thaçi dhe të tjerët” ua ka refuzuar kërkesat për lirim të përkohshëm Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kërkesat ishin dorëzuar më 3 dhe 4 prill 2025, pas dëgjimit të gjithë dëshmitarëve të prokurorisë.
Veseli, Selimi dhe Krasniqi kishin kërkuar garanci edhe nga Policia e Kosovës, drejtori i së cilës ka dorëzuar në Dhomat e Specializuara gjithë dokumentet e nevojshme për të dëshmuar aftësinë dhe trajnimet e policisë që t’i ruajnë treshen e UÇK-së gjatë lirimit të përkohshëm, mirëpo Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), e k cilësuar të paaftë Policinë e Kosovës ta zbatojë këtë masë.
Vendimi i gjyqtarëve Charles Smith, Christoph Bardhe, Guenawl Mettraux dhe Fergal Gaynor nuk është bërë ende publik, por “Klan Kosova” e ka parë kërkesën e fundit të kryeprokurores Kimberly West për vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin.
“Paraburgimi mbetet proporcional. Në rishikimin e fundit të paraburgimit, Paneli gjeti se mbajtja e Veselit edhe për dy muaj të tjerë ishte e nevojshme dhe e arsyeshme në bazë të rrethanave specifike të rastit. Më 13 maj 2025, pas vlerësimit të kërkesës së fundit të Veselit për lirim të përkohshëm, Paneli konfirmoi se paraburgimi i tij mbetet i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, është thënë në kërkesën e West.
West e ka cituar vendimin jo-publik edhe kur e arsyeton mbajtjen e Veselit në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen, ku bashkë me Thaçin, Krasniqin e Selimin po qëndrojnë prej 4 vjet e 6 muaj tashmë.
“Paneli ka ardhur në përfundim se vetëm përmes monitorimit të komunikimeve që aplikohet në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, komunikimet e Veselit mund të kufizohen në atë mënyrë që do ta ulin mjaftueshëm rrezikun e pengimit dhe kryerjen e krimeve tjera”, është thënë në kërkesë.
Gjykata Speciale nuk i pati besuar Policisë së Kosovës as në vitin 2021, kur Kadri Veseli kishte bërë kërkesë të njëjtë për lirim të përkohshëm.