
Spiropali takon Grenellin: Rikonfirmuam aleancën e palëkundur të Shqipërisë me ShBA-në
Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Richard Grenell, Emisarin Special të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Misionet e Posaçme dhe Drejtorin Ekzekutiv në detyrë të “John F. Kennedy Center for the Performing Arts” në Uashington.
Takimi, ku morën pjesë edhe presidenti Bajram Begaj dhe ministra të Jashtëm të rajonit, shërbeu për të riafirmuar aleancën e fortë strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik.
Ministrja Spiropali theksoi rëndësinë e këtij takimi, duke nënvizuar se “fuqizimi i marrëdhënieve mbetet një prioritet kryesor për qeverinë shqiptare teksa vazhdojmë të punojmë së bashku për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.”
Ajo shtoi se gjatë diskutimeve u rikonfirmua “aleanca e palëkundur e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara – si objektivi ynë kryesor strategjik”.
Takimi mes Spiropalit dhe Grenell-it u zhvillua në Nju Jork gjatë një periudhe intensive të angazhimeve diplomatike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku liderët botërorë po diskutojnë çështje globale si paqja, siguria dhe zhvillimi i qëndrueshëm./RTSH