Spiunazhi sfidon sigurinë në Kosovë

24 korrik 2025 | 11:28

Siguria e Kosovës po rrezikohet nga raste spiunazhi të lidhura me shërbimet sekrete serbe. Arrestimet e fundit ngrenë shqetësime për përmasat e kërcënimit dhe gatishmërinë institucionale për t’u përballur me të.

Veprimet e spiunazhit rrezikojnë drejtpërdrejt rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe sigurinë e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, ka th`n` ë prokurori i Prokurorisë Speciale, Bekim Kodraliu.

Megjithatë, ai ka siguruar se kjo strukturë është e përgatitur dhe e gatshme të ndërmarrë veprime hetimore në çdo moment për raste të tilla.

“Gjatë trajtimit të këtyre rasteve, Prokuroria vepron në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë”, ka thënë ai për “Radion Evropa e Lirë”.

Si rezultat të kësaj pune, Kodraliu ka përmendur në mënyrë të veçantë aktgjykimin e parë për spiunazh në Kosovë, dhënë ish-zyrtarit policor, Aleksandër Vllajiq.

Vllajiq është dënuar më 5 qershor nga Gjykata Themelore në Prishtinë me pesë vjet burgim, pasi ka pranuar se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë – BIA.

Këtë muaj, edhe një zyrtar tjetër policor i Kosovës, po ashtu me kombësi serbe, u dërgua në paraburgim nën dyshimet për spiunazh.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se Bojan Jevtiq “është i arrestuari i gjashtë me radhë në rastet e spiunazhit në Kosovë”, pa dhënë detaje mbi periudhën kohore të arrestimeve.

Më herët këtë vit, “Radio Evropa e Lirë”, ka raportuar për arrestimin e Jellena Gjukanoviqit, serbe nga Kosova, nën akuzat për spiunazh.

Në qershor të vitit të kaluar janë arrestuar edhe Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, pas dyshimeve se spiunuan te BIA.

A është Kosova nën një ofensivë të inteligjencës serbe?

“Radio Evropa e Lirë” ka pyetur Policinë e Kosovës nëse vendi është duke u përballur me një ofensivë të inteligjencës serbe dhe sa i përgatitur është për t’u kundërpërgjigjur, por nuk mori asnjë sqarim.

Në një konferencë për medie më 22 korrik, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se situata e sigurisë, në përgjithësi, është e qetë dhe stabile.

“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë, sidomos të institucioneve të saj. Nuk është se gjithmonë kanë qenë – apo fare herë kanë qenë – në përkrahje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne jemi të përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në vendin tonë”, ka thënë Hoxha.

Eksperti i sigurisë, Valdet Hoxha, nuk e ka përjashtuar mundësinë që shërbimet e vendeve jo mike – veçanërisht ato serbe – të jenë duke shfrytëzuar momentin.

Ai ka thënë se periudhat e pasigurisë politike, si ajo që po kalon aktualisht Kosova, janë zakonisht të favorshme për aktivitete të padukshme si spiunazhi.

Megjithatë, Hoxha ka theksuar se këto veprime nuk janë domosdoshmërisht të reja apo të lidhura vetëm me periudhën e fundit, pavarësisht arrestimeve.

Çfarë synon të dëmtojë spiunazhi?

Hoxha, i cili në të kaluarën ka shërbyer edhe si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ka shpjeguar se spiunazhi, në thelb, synon dëmtimin e sigurisë kombëtare të Kosovës.

“Ky aktivitet përpiqet të dobësojë dhe komprometojë institucionet e shtetit, të shkaktojë dëme ekonomike, të nxisë konflikte të brendshme dhe veprime të tjera, që minojnë funksionimin normal të shtetit dhe krijojnë perceptimin e një shteti të dështuar”, ka thënë ai për “REL”-in.

Ndërsa Burim Ramadani, ish-kryeinspektor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka paralajmëruar se inteligjenca serbe nuk ndalet për asnjë moment në përpjekjet për të destabilizuar Kosovën nga brenda.

Sipas tij, ajo përdor çdo mundësi për të minuar themelet e shtetit dhe të demokracisë.

“Serbia po vazhdon luftën speciale ndaj Kosovës, përfshirë këtu aktivitetet e spiunazhit, sabotimit, ndikimit në vendimmarrje dhe influencimit të komunitetit serb”, ka thënë Ramadani për “REL”-in.

Viteve të fundit, disa persona janë shpallur të padëshirueshëm në Kosovë dhe janë dëbuar, për shkak të rrezikimit të sigurisë kombëtare.

Derisa dëmet e shkaktuara është vështirë të maten, sipas ekspertëve, Serbia vazhdimisht mohon se është e përfshirë në aktivitete të tilla në Kosovë.

A është Kosova mjaftueshëm e përgatitur?

Përgjigjja nga të dy ekspertët është e prerë: po. Ramadani ka theksuar se Kosova ka punuar vazhdimisht për të forcuar kapacitetet e saj kundër këtij kërcënimi.

“Arrestimet dhe përballja me drejtësinë janë instrumente që parashihen në këto raste – kur është e domosdoshme. Ndërsa, pjesa tjetër e aktiviteteve përballuese lidhet me dobësimin dhe zhvleftësimin e këtyre ndërhyrjeve”, ka thënë ai.

Hoxha, në anën tjetër, nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e inteligjencës, i cili, sipas tij, “është në nivel të shkëlqyer”.

“Kosova, fatmirësisht, e ka ndërtuar kornizën ligjore për funksionimin e duhur të mekanizmave kompetentë në fushën e sigurisë”, ka thënë ai.

Me Kodin Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me minimum pesë vjet burg, nëse konfirmohet fajësia.

Serbia si kërcënim i vazhdueshëm

Javëve të fundit, udhëheqja shtetërore e Kosovës ka rritur veçanërisht zërin ndaj Serbisë, duke e cilësuar atë si burim të vazhdueshëm kërcënimi për sigurinë e vendit.

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë më 15 korrik se Serbia, vazhdimisht, përpiqet ta destabilizojë Kosovën – edhe me “akte agresioni”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të bëra pas arrestimit të një zyrtari serb nga autoritetet kosovare, duke i quajtur ato kërcënuese dhe destabilizuese.

Vuçiqi ka paralajmëruar “pasoja të paparashikueshme” pas arrestimit të Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili u dërgua në paraburgim për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Kurti, po ashtu, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, pasi, siç tha, “ka indikacione” për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.

Përshkallëzimi i fundit i madh i situatës në Kosovë ndodhi në shtator të vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic.

Prishtina e ka cilësuar atë si sulm terrorist dhe të orkestruar nga Serbia, por Beogradi mohoi çdo përgjegjësi.

Në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027, Serbia përshkruhet si kërcënimi kryesor i sigurisë për Republikën e Kosovës.

Për rrezikun e vazhdueshëm të tensioneve në Kosovë paralajmëroi këtë muaj edhe një raport i inteligjencës kroate.

Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, ish-zëvendësministri i Brendshëm i Kosovës, Valdet Hoxha, ka theksuar nevojën për vigjilencë të vazhdueshme dhe masa të adaptueshme.

Ai ka sugjeruar përforcimin e bashkërendimit institucional, rritjen e bashkëpunimit me partnerët strategjikë dhe harmonizimin e kornizës ligjore, për të përballuar kërcënime – si spiunazhi e të tjera – në mënyrë efektive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi sfiduan njëri-tjetrin për 20 vite me radhë në fushat…