
Spiunët e Putinit kanë depërtuar në çdo pjesë të shoqërisë britanike
Burimi: The Daily Telegraph
Zbulimi dhe sanksionimi – nga ana e Ministrisë së Jashtme britanike – i individëve dhe organizatave ruse që veprojnë kundër Mbretërisë së Bashkuar, dëshmon se jemi objektiv parësor i luftës politike të Putinit që, përveç konfliktit të armatosur, përfshin përdorimin e të gjitha mjeteve për të arritur objektivat shtetërore. Synimet e Rusisë janë globale, por është e qartë se Britania është prioritet, duke pasur parasysh rolin udhëheqës që kemi në mbështetjen e Ukrainës. Madje, disa kanë sugjeruar se Britania është objektivi numër një pas Ukrainës, edhe përpara ShBA-së, pasi Putini ende shpreson ta largojë Trumpin nga mbështetja e plotë për Kievin.
Qëllimet ruse përfshijnë pengimin e drejtpërdrejtë të ndihmës ushtarake për Ukrainën, si dhe nxitjen e përçarjes brenda vendit dhe shkaktimin e kostove të mëdha për ne përmes sabotimeve dhe luftës kibernetike. Kanë ndodhur sulme të përsëritura në Britani dhe nëpër Evropë kundër infrastrukturës dhe nyjave të transportit që përdoren për dërgimin e ndihmës drejt Ukrainës. Një zjarr në një depo në Londër dhe një sulm zjarrvënës ndaj një pike të DHL-it në Birmingem, ka gjasa të jenë kryer nga agjentë të GRU-së – shërbimi rus i inteligjencës ushtarake.
Sulmet kibernetike kanë pasur në shënjestër mediat, ofruesit e shërbimeve të telekomunikacionit, institucionet politike, organet qeveritare dhe infrastrukturën energjetike në Mbretërinë e Bashkuar. Ministria e Mbrojtjes ka zmbrapsur 90 mijë sulme kibernetike nga shtetet armiqësore – në dy vitet e fundit. Shumica prej tyre kanë origjinë nga Rusia, zakonisht nëpërmjet ndërmjetësve. Spiunazhi dhe dezinformimi janë gjithashtu elemente kyçe të luftës politike ruse. Më herët këtë vit, një grup prej gjashtë bullgarësh – që jetonin në Mbretërinë e Bashkuar – u dënua për spiunazh në të gjithë Evropën në emër të Rusisë, dhe Moska investon burime të mëdha të automatizuara [bot farms ] për të përhapur narrativën e saj kundër Ukrainës në rrjetet sociale.
Përtej sabotimeve, luftës kibernetike dhe dezinformimit, operacionet e luftës politike të Moskës përfshijnë edhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës. Që nga ardhja në pushtet e Putinit, ka pasur të paktën gjashtë vrasje apo tentativa vrasjeje në Mbretërinë e Bashkuar të cilat dyshohet të jenë kryer nga GRU-ja. Tri nga njësitë e GRU-së, të sanksionuara nga Ministria e Jashtme, kanë qenë të përfshira në atentatin e dështuar ndaj Sergei Skripalin në Salsbëri në vitin 2018.
Komponentët kibernetikë të dy prej këtyre njësive janë përfshirë në identifikimin e objektivit Skripal dhe më pas në përpjekjet për të penguar hetimet britanike dhe ndërkombëtare mbi ngjarjen. Njësia e tretë, e njohur si 26165, ishte drejtpërdrejt përgjegjëse për tentativën për vrasjen e Skripalit. Po e njëjta njësi, në mars të vitit 2022 kreu një zbulim të strehimoreve civile në Mariupol dhe Harkiv, duke përgatitur goditje artilerie që rezultuan në vrasjen e civilëve të strehuar atje.
Megjithëse fokusi aktual i Rusisë është minimi i Ukrainës dhe i aleatëve të saj, fushata e saj e luftës politike shtrihet shumë më gjerë, duke përfshirë të gjitha aspektet e interesave kombëtare – si zhvillimi ekonomik, krijimi i aleancave dhe destabilizimi i Perëndimit. Para disa vitesh, kreu i NATO-s konfirmoi se Rusia ishte infiltruar në lëvizjet mjedisore në Evropë për të ruajtur varësinë ndaj importit të gazit rus. Që nga fillimi i konfliktit në Gazë në vitin 2023, Rusia ka përdorur ushtri me profile të rreme në rrjetet sociale, për të amplifikuar në mënyrë të tepruar zërat pro-palestinezë në Britani, me qëllim nxitjen e përçarjes publike dhe ndikimin mbi vendimmarrjen qeveritare.
Sipas David Lammyt, “Kremlini nuk duhet të ketë asnjë dyshim”, se “ne e shohim qartë se çfarë po përpiqen të bëjnë në hije dhe ne nuk do ta tolerojmë. Prandaj, po ndërmarrim veprimet vendimtare për sanksione ndaj spiunëve rusë”. Ai ka të drejtë të vendosë këto sanksione, por edhe nëse shumë nga aleatët tanë veprojnë njësoj, ndikimi do të jetë i vogël. As zbulimi i detajuar i aparatit të luftës politike të Moskës dhe disa prej figurave kyçe të saj nuk do t’i ndalë ata. Përkundrazi, aktivitetet e tyre do të shtohen dhe do të bëhen më të sofistikuara, sidomos me zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Në këtë situatë, duhet të përmirësojmë vazhdimisht mbrojtjen tonë, si në fushën e sigurisë kibernetike ashtu edhe në atë të inteligjencës. Por, kjo ka edhe një kosto: Para disa muajsh, kreu i MI5-it, Ken McCallum, pranoi se ishte i detyruar të “shkurtonte” përpjekjet kundër terrorizmit për t’u përballur me kërcënimet në rritje që vijnë nga Rusia dhe shtetet e tjera armiqësore. Dhe, mos mendoni as për një çast se Putini nuk po përfiton nga valët e kalimeve me gomone nëpër Kanalin Anglez, të cilat po mbushin vendin tonë me njerëz për të cilët nuk dimë asgjë.
Por, mbrojtja nuk mjafton: duhet të luftojmë zjarrin me zjarr. GRU-ja, ashtu si edhe organet e tjera të Kremlinit që na sulmojnë, duhet të paguajnë një çmim që shkon përtej këtij regjimi sanksionesh. Kjo nënkupton fushatën tonë të luftës ofensive politike kundër Rusisë. Në këtë drejtim, Ministria e Jashtme jep një ton shprese, duke pohuar se po kundërpërgjigjet ndaj sulmeve ruse si publikisht ashtu edhe “prapa skenave”. Por, a kemi aftësinë, lirinë ligjore dhe vullnetin politik për të shkaktuar dëmin që nevojitet? /Telegrafi/