Sqarim për opinionin publik lidhur me raportin “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në Sistemin e Drejtësisë” i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

09 dhjetor 2023 | 13:41

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se janë të paqëndrueshme pretendimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) lidhur me kompetencat e ZKA-së në kryerjen e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”. Sipas raportit të IKD-së, me ketë auditim, ZKA ka ndërhyrë në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.  

Ju rikujtojmë se në gusht të këtij viti, ZKA ka publikuar raportin në fjalë të auditimit të performancës i cili është trajtuar nga IKD. Objektivë e këtij auditimi ishte vlerësimi nëse institucionet përgjegjëse ndërmarrin aktivitetet e duhura për trajtimin efektiv të rasteve të dhunës në familje. Ndër institucionet përgjegjëse, në këtë auditim janë përfshirë edhe prokuroria themelore dhe gjykatat themelore.

Raporti i IKD-së bazohet në një interpretim substancialisht të kufizuar të kornizës ligjore dhe të pabazuar në ndonjë vlerësim profesional të mbështetur në standarde që rregullojnë këtë fushë. ZKA-ja në komunikim me shkrim i është përgjigjur IKD-së, se nuk ka audituar performancën profesionale të gjykatave dhe prokurorive, respektivisht performancën e prokurorëve dhe gjyqtarëve që merren me rastet e dhunës në familje, siç pretendohet.

Mandati dhe kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit janë të rregulluara qartë me nenet 136, 137 dhe 138 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjin 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Auditori i Përgjithshëm ushtron mandatin e vet kushtetues dhe ligjor në pajtim edhe me Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit (SNISA).  

Duke ju referuar mandatit kushtetues dhe ligjor, Auditorja e Përgjithshme siguron opinionin publik se auditimi “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” është kryer në përputhje të plotë më Kushtetutën, aktet tjera ligjore të aplikueshme, standardet ndërkombëtare të auditimit dhe praktikat më të mira të vendeve më të zhvilluara.

Standardet Ndërkombëtare si INTOSAI-P1 Deklarata e Limës, neni 18. 3 dhe INTOSAI -P10 Deklarata e Meksikës, parimi 3, janë baza kryesore të cilave ZKA ju referohet dhe e mbështet punën e saj.  Edhe sipas tyre, kompetencat dhe përgjegjësitë e auditimit për Auditorin e Përgjithshëm janë shumë më të gjera se sa vetëm financiar, siç interpretohet në disa paragrafë të këtij raporti. Përtej kësaj, konteksti i termit “financiar” është shumëfish më gjithëpërfshirës se sa ai që i është dhënë përmes vlerësimeve të prezantuara në raport dhe se auditimi i kryer është gjithsesi i ndërlidhur me menaxhim financiar të parasë publike.

Rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) e konfirmojnë edhe dy (2) rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, (Rezoluta A/66/209 dhe Rezoluta A/69/228) të emëruara “Promovimi dhe fuqizimi i efiçiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, nëpërmjet forcimit të institucioneve supreme të auditimit”.

ZKA-ja për opinionin publik thekson se çdo element i performancës së institucioneve publike është i ndërlidhur me menaxhimin e drejtë dhe efikas të fondeve buxhetore të ndara për përmbushjen e detyrave zyrtare. Në baza vjetore, nga buxheti i shtetit ndahen për KGJK-në dhe KPK-në më shumë se 50 milionë euro. Planifikimi i mirë dhe përdorimi i drejtë i këtyre fondeve për qëllimet e caktuara ndikon në efektivitetin, efikasitetin dhe ekonomicitetin e proceseve të cilat janë edhe parimet kryesore të vlerësimeve të auditimit të performancës.

E theksojmë se auditime të tilla, ZKA ka kryer edhe më parë. Vlen të përmendet auditimi “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykata” i kryer në vitin 2017, si dhe auditimin “Sistemi për menaxhimin informativ të lëndëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës”, i kryer në vitin 2021.

Praktika të tilla dhe auditime të ngjashme kryhen edhe nga institucione supreme të auditimit nga vende të ndryshme, disa prej të cilave janë: Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, Zyra Kombëtare e Auditimit e Mbretërisë së Bashkuar, Zyra Qeveritare e Llogaridhënies së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, institucionet supreme të auditimit të Skocisë, Letonisë, Uellsit, etj.

ZKA, vlerëson se raporti i auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”,  nxjerr në pah çështje të rëndësishme dhe më interes të lartë publik, të cilat duhet të trajtohen me kujdes dhe mund t’ju shërbejnë institucioneve përgjegjëse për të rritur efikasitetin dhe efektivitetin e tyre në trajtimin dhe procedimin e këtyre rasteve.

Pavarësisht pretendimeve për të interpretuar mandatin dhe kompetencat e institucionit, ZKA-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit të mirë me palët e jashtme të interesit, në veçanti me mediat dhe Shoqërinë Civile duke respektuar punën dhe angazhimin e tyre të pavarur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi,…