Stadiumi kombëtar nuk ka alternativë: “Prishtina 2030 hapet në arenën e re”
Do të bëhet apo nuk do të bëhet? Kjo është dilema që ka mbetur e shtruar për vite me radhë sa i përket ndërtimi të stadiumit të ri në të cilin do t’i zhvillonte ndeshjet Kombëtarja e Kosovës në futboll por edhe do të organizoheshin e zhvilloheshin ngjarje të tjera të rëndësishme sportive vendore e ndërkombëtare.
Ndërtimi i stadiumit të ri ishte zotuar para Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare kur Kosova e fitoi të drejtën e organizimit të tyre në vitin 2030, por megjithëse që nga atëherë kanë kaluar gati tre vite, ende nuk është ndërmarr asnjë hap konkret, madje muajve të fundit, Hajrulla Çeku, tashmë ministër në detyre i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, deklaroi se do të bëhet një vlerësim nëse duhet të ndërtohet stadiumi apo kjo për momentin nuk është e nevojshme.
Por, tashmë duket se situata ka ndryshuar. Së fundi në Kosovë qëndroi një delegacion ndërkombëtar i cili inspektoi infrastrukturën ekzistuese sportive në Kosovë dhe nga vizita e tyre do të dalin edhe rekomandime se çfarë duhet të ndërtohet.
Pas takimit të këtij delegacioni me përfaqësues nga Kosova të Komitetit Olimpik të Kosovës, Komunës së Prishtinës si dhe Ministrisë së Sportit, u tha se ndërtimi i stadiumit të ri nuk ka alternative dhe se ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare 2030 do të bëhet në stadiumin e ri. Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, tha për KosovaPress se ndërtimi i stadiumit nuk duhet as që të diskutohet pasi ai do të ndërtohet.



