
Stërnipi i Skënderbeut ndodhet në Kosovë
Me flamurin kombëtar është pritur pasardhësi i familjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në aerportin ndërkombëtar të Prishtinës.
Loris Castriota Skanderbegh, pasditën e djeshme ka arritur në Kosovë, ku do të qëndrojë për ditëlindjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Nuk është hera e parë që është në Kosovë, por për secilën herë tha se ndihet sikur në shtëpi, derisa u shpreh i lumtur për arsyen që erdhi në kryeqytet.
“U gëzova që ishte organizuar një ngjarje e tillë për të festuar Gjergj Kastriotin, sepse unë besoj se gjithmonë duhet të festojmë kujtimin e heroit tonë kombëtar. Shpresoj që Shqipëria dhe Kosova, dhe të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarët, të jenë gjithmonë të bashkuara, për ta bërë botën të kuptojë sa e madhe është historia e shqiptarëve, dhe sa shumë Shqipëria dhe Kosova meritojnë të respektohen nga të gjithë”, ka deklaruar Castriota Skanderbegh.
Për nderë të ditëlindjes së Skënderbeut, më 6 maj edhe në kryeqytet do të festohet.
“Sot ne jemi të nderuar me ardhjen e stërnipit të kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit dhe besoj që të martëen më 6 maj do kemi festë ashtu sic e meriton Gjergj Kastrioti, kjo festë bëhet për të rritur kujtesen histrike për heroin tonë, dhe do jetë një festë madhështore…”, ka theksuar Basri Beka – Kryetar i Këshillit organizativ.
“Do jetë një festival që tashmë tradicional i përvjetshëm dhe presim fëmijet e të gjitha shkollave, nga Tirana Lezha, Tirana e Shkodra që janë nisur në drejtim të Prishtinës”, ka deklaruar Qendrim Kryeziu- Organizator.
Heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbei lindi në vitin 1405.