Store – Kurti, një takim me dy versione

29 mars 2022 | 15:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai norvegjez, Jonas Gahr Store, kanë dalë me njoftime krejt të ndryshme pas takimit të zhvilluar në Oslo, mëngjesin e së martës.

Në njoftimin pas bisedës, nikoqiri ka bërë me dije se ia ka shprehur mysafirit shqetësimin se një krizë në Ballkanin Perëndimor mund të shpërthejë sërish.

“Ne nuk mund ta marrim stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si diçka të sigurt. Çështjet e pazgjidhura nga vitet 1990-ta, mund ta ndezin rajonin sërish”, ka thënë Store.

Ai, po ashtu ka thënë se ia ka shprehur Kurtit edhe një dëshpërim.

“Unë e shfrytëzova rastin që gjatë takimit tonë ta shpreh zhgënjimin tim pse Kosova nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë më 3 prill, sipas mënyrës së përdorur në zgjedhjet e mëhershme”, citohet të këtë thënë Store.

Por, në njoftimin e zyrës së kryeministrit Albin Kurti nuk është përmendur asnjëra nga këto tema.

“Kryeministri Jonas Gahr Store i uroi kryeministrit Kurti mirëseardhje në Norvegji, tha se është i interesuar në reformat që Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar të ndërmarrë dhe është i gatshëm që të rrisë bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve. Ai po ashtu shprehu interesim për propozimet konstruktive dhe progresive për Bashkëpunim Rajonal që ka bërë qeveria e Kosovës”, është thënë në komunikatën e zyrës së kryeministrit, derisa temat rajonale e globale, përmenden krejt në fund, vetëm si formalitet.

“Në takim, gjithashtu u diskutua për rëndësinë e raporteve të mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë, të cilin e dënuan ashpër të dy kryeministrat”, është thënë në këtë komunikatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fundjavë u zhvillua xhiroja e 24-t në Art Motion…