
Stramaccioni: Ardon Jashari do të jetë Rodri i Milanit
Andrea Stramaccioni, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ka folur për tre kampionët Luka Modriq, Kevin De Bruyne dhe Edin Dzeko, të cilët kanë zgjedhur Serie A për fazën e fundit të karrierës së tyre: “Do të japin kontributin e tyre, pa dyshim. Janë profesionistë të jashtëzakonshëm, fizikisht i shoh ende mirë, nga ana mendore nuk lëshojnë asnjë centimetër. Tre fitues, që vijnë nga sezone ku kanë qenë protagonistë, të angazhuar në skuadra që kanë nevojë për cilësitë e tyre, qoftë titullarë apo duke hyrë nga stoli. Do të bëjnë shumë mirë”.
Për blerjen më të shtrenjtë deri tani në Serie A, Ardon Jashari (37 milionë euro), Stramaccioni ka thënë: “Është paguar shumë, por kjo tregon sa të rëndësishëm janë sot lojtarët ndërtues me fizik, që luajnë para mbrojtjes, në stilin e Rodrit. Allegri dhe Tare kanë rindërtuar mesfushën dhe kanë bërë shumë mirë, do të jetë ‘motori’ i Milanit. Edhe pse, e patë Reijnders në debutimin në Premier Ligë kundër Wolverhampton… Ja, unë ëndërroj një Serie A që t’i mbajë lojtarët më të mirë në botë”.