
Strategjia e eliminimeve të shënjestruara nga Izraeli: Si agjentët sekretë të Mossad sulmuan me dronë kamikazë nga brenda Iranit
Operacioni izraelit “Rising Lion”, (Ngritja e luanit) përveç synimit të goditjes së programit bërthamor të Iranit, të kujton strategjinë e “prerjes së kokës”. E njëjta strategji u zbatua nga Izraeli edhe kundër armiqve më të afërt, Hezbollahut libanez dhe Hamasit palestinez, por në një nivel edhe më të lartë sepse përfshinte figura kyçe të nomenklaturës iraniane.
Operacioni ishte mjaft sekret dhe ka shkuar shumë më thellë.
“Mossad”-i
Disa objektiva u arritën nga dronë kamikazë që u ngritën nga “baza” të krijuara nga Mossad brenda në Iran. Avionët e vegjël u futën kontrabandë në vend, ndërsa agjentët në terren studiuan “terrenin” dhe madje kryen edhe teste. Sipas thashethemeve, dronët u “pilotuan” edhe drejt Esfajabad, pranë kryeqytetit Teheran. Kjo mënyrë veprimi të kujton sulmin e fundit ukrainas në bazat e bombarduesve rusë.
Në të kaluarën ka pasur sulme me këto mjete (si ai në Isfahan në vitin 2023), ndërhyrje të vogla që përveç ruajtjes së presionit mbi Ajatollahët kanë shërbyer si teste në funksion të një sulmi më të madh dhe të koordinuar. Një detaj i zbuluar nga media konfirmon planifikimin afatgjatë, aftësinë për të lëvizur në një “zonë armiqësore”, bashkëpunimet e mundshme të brendshme dhe përdorimin e teknologjisë fleksibile. Kjo u bë e mundur nga ekzistenca e një rrjeti të gjerë dhe të konsoliduar, i aftë të afrohej shumë pranë objektivave falë një “kolone të pestë” – gjithashtu të përbërë nga vendas të krijuar me kalimin e kohës.
Oficerët
Numërimi i viktimave është ende në proces, por emrat e oficerëve të vrarë kanë dalë tashmë dhe janë rreth 20. Komandanti i “Pasdaran”, Hossein Salami (majtas në foton kryesore), Shefi i Shtabit Mohammad Bagheri (djathtas në foto), zëvendësi i Shtabit të Përgjithshëm Gholamali Rashid. Ali Shamkhani, këshilltar i Ajatollah Khameneit dhe një njeri me shumë dosje në duar, u plagos rëndë.
IDF, në një deklaratë, shtoi në listë edhe emrin e Amir Ali Hajizadeh, kreut të divizionit hapësinor, i konsideruar si truri i arsenalit, një nga zyrtarët më “të çmuar”, i vlerësuar me medalje nga vetë Udhëheqësi Suprem pas hakmarrjes kundër shtetit hebre.
Sipas një burimi, ai ndodhej në një “dhomë lufte” nëntokësore së bashku me disa bashkëpunëtorë (Taher Foor në krye të “seksionit” të dronëve dhe Davoud Shaykhiyan koordinator i mbrojtjes ajrore, të dy të vrarë). Sipas New York Times, “goditja” rrëzoi Esmael Qaani që koordinon milicitë shiite në Lindjen e Mesme dhe qelizat klandestine në Perëndim. Paraardhësi i tij, Qasem Soleimani, u vra në Bagdad nga një dron amerikan në janar 2020 me urdhër të Trump.
Është për t’u habitur që rangjet e larta iraniane nuk morën masa sigurie kur sulmi dukej çështje ditësh, nëse jo orësh. Skenari që pa asgjësimin e udhëheqjes së Hezbollahut në Bejrut, të ndjekur dhe të gjurmuar në bunkerë, u përsërit. Një version i publikuar nga Fox TV nga burime izraelite pretendon se oficerët u “joshën” në një lloj takimi kurth dhe u detyruan të qëndronin bashkë për një kohë të gjatë. Kjo i kishte lejuar IDF-së të godiste në mënyrë kirurgjikale.
Eliminimi i figurave kryesore përmban tre pika:
1) Inteligjenca armike dinte se ku t’i gjente ata pavarësisht alarmit të qartë.
2) Nuk mund të përjashtohet që Tel Avivi synon të shkaktojë një reaksion zinxhir brenda vendit, me pasoja më të gjera politike dhe një ndikim psikologjik në opinionin publik.
3) Objektivat me vlerë të lartë të rrëzuara janë vetëm të fundit në një listë të gjatë, duke konfirmuar dobësinë kronike të aparatit të sigurisë. Kjo u demonstrua nga fundi i përfaqësuesit palestinez Ismail Haniyeh në Teheran, i bërë copë-copë në dhomën e tij brenda një ndërtese të “menaxhuar” nga Pasdaran në korrik 2024.
Shkencëtarët
Niveli i dytë i prerjes së kokës kishte të bënte me botën e shkencës të lidhur me programin strategjik. Të paktën 7 shkencëtarë u vranë. Midis tyre Fereydon Abbasi-Davari, Mohammad Tehranchi, Abdulhamid Minouchehr dhe Ahmadreza Zolfaghari. I pari kishte mbajtur pozicione kyçe në agjencinë kombëtare atomike dhe i mbijetoi një sulmi në vitin 2010. Gruaja dhe fëmijët e tij humbën jetën. I dyti, mori pjesë në studime mbi kokat bërthamore, por mbajti një profil të ulët.
Të tjerët ishin profesorë universiteti, pjesë e një grupi specialistësh që i lejuan Republikës Islamike të vazhdonte në një rrugë ambicioze. Të gjithë kishin qenë në shënjestër për vite me radhë që kur Izraeli e filloi fushatën që në vitin 2001 kur likuidoi një ekspert raketash, një veprim i ndjekur nga misione të besuara të vrasësve me pagesë që përdornin armë dhe pajisje magnetike.
U eliminua edhe Mohsen Fakrizadeh, babai i vërtetë i planit bërthamor i cili ra në nëntor 2020 në një pritë të kryer me një mitraloz të telekomanduar. Një tjetër provë e infiltrimit. Një boshllëk që Teherani, pavarësisht sistemit të tij gjigant të mbikëqyrjes, nuk ka arritur kurrë ta bllokojë./Corriere della Sera