Studentët e inovacionit, inteligjencës artificiale dhe digjitalizimit përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të mbrojtjes, krahas FSK-së
Shkruan: Safet Gërxhaliu
FSK-ja në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, mbetet garancia kryesore e mbrojtjes së lirisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës – një arritje që na bën të gjithëve krenarë. Megjithatë, në realitetin e ri global, siguria nuk ndërtohet më vetëm me kapacitete tradicionale ushtarake, por gjithnjë e më shumë me dije, teknologji dhe inovacion.
Në këtë kontekst, “ushtria e së ardhmes” e Kosovës nuk është vetëm FSK-ja, por edhe të rinjtë tanë – studentë, inovatorë dhe sipërmarrës që zhvillojnë ide në universitete, kolegje dhe sidomos në ekosistemin në rritje të start-up-eve.
Fushat si Teknologjia e Informacionit, Mekatronika, Elektronika, Digjitalizimi dhe Inteligjenca Artificiale janë tashmë kritike jo vetëm për zhvillim ekonomik, por edhe për sigurinë kombëtare.
Doktrinat moderne të mbrojtjes kanë evoluar ndjeshëm, duke u përshtatur me revolucionin teknologjik. Konfliktet e fundit globale dëshmojnë qartë se epërsia nuk përcaktohet vetëm nga numri i ushtarëve, por nga superioriteti teknologjik dhe inovativ. Përdorimi i dronëve, sistemeve autonome dhe raketave të drejtuara me inteligjencë artificiale ka ndryshuar rrënjësisht natyrën e luftës, duke e bërë teknologjinë faktor vendimtar.
Në këtë kuadër, Kosova ka një avantazh strategjik: popullatën e re dhe potencialin e madh njerëzor. Por ky potencial duhet të shndërrohet në kapital zhvillimor dhe mbrojtës përmes investimeve të qëndrueshme dhe të mirë-orientuara. Kjo nënkupton: Rritjen e investimeve publike dhe private në kërkim-zhvillim (R&D);
Mbështetje konkrete për start-up-et teknologjike, veçanërisht ato që zhvillojnë zgjidhje në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes; Krijimin e fondeve të veçanta për inovacion në sektorin e “defense-tech”; Ndërlidhjen më të fortë mes universiteteve, sektorit privat dhe institucioneve të sigurisë; Mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe ideve inovative të të rinjve.
Inovatorët dhe ndërmarrësit e rinj duhet të shihen si aset strategjik kombëtar. Ata nuk janë vetëm kontribuues në ekonomi, por edhe faktorë kyç në ndërtimin e një sistemi të avancuar të sigurisë. Përmes ideve të tyre, ata mund të zhvillojnë teknologji që jo vetëm rrisin konkurrueshmërinë ekonomike, por edhe forcojnë kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Në fund të fundit, një Kosovë e sigurt është një Kosovë që investon në dije, inovacion dhe sipërmarrje. Duke mbështetur të rinjtë në këto fusha, ne nuk po ndërtojmë vetëm një ekonomi moderne, por edhe një “ushtri të heshtur” të së ardhmes – të pajisur me dije, kreativitet dhe teknologji të avancuar.



