Studentët e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” vizituan Gjykatën Kushtetuese
Një grup studentësh të vitit të parë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, së bashku me profesorin e këtij universiteti, Prof. dr. Kadri Kryeziu, qëndruan për vizitë në Gjykatën Kushtetuese.
Studentët u pritën në takim nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nexhmi Rexhepi.
Pasi që u shprehu mirëseardhjen, kryetari Rexhepi fillimisht i njoftoi studentët prizrenas me rolin dhe përgjegjësitë që ka Gjykata Kushtetuese në raport me gjykatat e rregullta në vend dhe me organet e tjera të pushtetit shtetëror, si dhe palët e autorizuara sipas Kushtetutës për parashtrimin e kërkesave.
Në vazhdim, kryetari Rexhepi i informoi studentët edhe për procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues, për mënyrën e vendimmarrjes, si dhe për zbatimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çdo vendim të Gjykatës.
Nga ana e tyre, studentët shprehën interesimin, ndër të tjera, që të informohen më hollësisht përkitazi me procesin e parashtrimit të kërkesave nga individët dhe palët e tjera të autorizuara, si dhe për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës.



