
Studentët në Serbi, thirrje partive opozitare ta bojkotojnë Parlamentin
Studentët e Fakultetit të Organizatës së Biznesit (FON) në Beograd, të cilët ndodhen në bllokadë që prej disa ditësh, kanë kërkuar publikisht nga të gjithë aktorët e vërtetë opozitarë që t’i bashkohen bojkotit të punës së Kuvendit të Serbisë – por pa dorëzuar mandatet, raporton N1.
Përmes një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter), studentët kanë bërë thirrje për unitet në luftën për zgjedhje të ndershme dhe përballjen me, siç e kanë quajtur ata, “regjimin jolegjitim” në pushtet.
“Qëndroni me studentët dhe me të gjithë qytetarët mendjehapur, në mënyrë që të ushtrojmë presion mbi regjimin jolegjitim që rrezikon të drejtat dhe lirinë tonë. Kërkojmë zgjedhje,” thuhet në deklaratën e tyre.
Kjo thirrje e studentëve vjen menjëherë pas protestës masive të mbajtur më 28 qershor, Ditën e Vidovdanit, në qendër të Beogradit, ku mijëra qytetarë, studentë dhe përfaqësues të opozitës u mblodhën për të kundërshtuar, sipas tyre, manipulimet zgjedhore dhe mungesën e sundimit të ligjit në vend.
Protestuesit marshuan drejt ndërtesës së Kuvendit, duke kërkuar dorëheqjen e institucioneve përgjegjëse dhe organizimin e zgjedhjeve të reja nën kushte të ndershme. Simbolika e Vidovdanit – një ditë historike dhe me rëndësi për identitetin serb – u përdor nga organizatorët për të theksuar nevojën për “rilindje demokratike”.
Studentët e FON-it, të cilët janë ndër zërat më të artikuluar të protestave të fundit, kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me bllokadën dhe aksionet e tyre derisa kërkesat të merren seriozisht.