Studiuesit amerikanë zhvillojnë një lloj xhami dhjetë herë më rezistent
Studiuesit amerikanë kanë zhvilluar një lloj qelqi miqësor ndaj mjedisit të quajtur LionGlass, i cili kërkon shumë më pak konsum të energjisë në procesin e prodhimit dhe në të njëjtën kohë është më rezistent se xhami standard.
Studiuesit shpresojnë se shpikja e re do të ndihmojë në zvogëlimin e emetimit të gazrave pasi të paktën 86 milionë tonë dioksid karboni prodhohen në botë çdo vit gjatë procesit të prodhimit të qelqit.
“Qëllimi ynë është të bëjmë prodhimin e qelqit të qëndrueshëm në afat të gjatë. LionGlass eliminon përdorimin e materialeve që përmbajnë karbon dhe ul ndjeshëm temperaturën e shkrirjes së qelqit”, tha John Mauro.
Shumica e emetimeve të CO2 të xhamit standard janë për shkak të energjisë së nevojshme për të ngrohur furrën në temperaturat e larta të nevojshme për shkrirjen e xhamit. Me LionGlass, temperatura e shkrirjes zvogëlohet me 300 deri në 400 gradë, që paraqet rreth 30 për qind reduktim të konsumit të energjisë.
Një avantazh i shtuar është se xhami LionGlass është shumë më i qëndrueshëm se ai standard. Në fakt, është të paktën dhjetë herë më rezistent ndaj plasaritjes se xhamit standard.
Rezistenca ndaj dëmtimit është një veti veçanërisht e rëndësishme e qelqit dhe është thelbësore për përdorim në industrinë e automobilave dhe elektronikës, arkitekturës dhe teknologjisë së komunikimit, si kabllot me fibra optike. Edhe në mjekësi, vaksinat ruhen në enë qelqi të fortë dhe kimikisht rezistente.
Përdorimi i xhamit LionGlass do të mundësonte prodhimin e produkteve më të lehta dhe më të holla.