Stuhi diellore rekord drejt Tokës, rrezik për satelitët dhe aviacionin

20 janar 2026 | 10:21

Një stuhi jashtëzakonisht e fuqishme rrezatimi diellor, e lëshuar nga Dielli, po i drejtohet Tokës dhe pritet të shkaktojë shfaqje të forta të aurorës në zona të pazakonta, si dhe të ndikojë në komunikimet satelitore dhe saktësinë e sistemeve GPS.

Sipas Qendrës së Parashikimit të Motit Hapësinor (SWPC), pjesë e Shërbimit Kombëtar të Motit, stuhia është klasifikuar në nivelin S4 nga pesë shkallë të ashpërsisë, duke u konsideruar si më e madhja e këtij lloji në mbi dy dekada.

“Një stuhi e fortë rrezatimi diellor S4 është aktualisht në zhvillim. Kjo është stuhia më e madhe e rrezatimit diellor në më shumë se 20 vjet. Herën e fundit që u regjistruan nivele të tilla ishte në tetor të vitit 2003. Efektet e mundshme prekin kryesisht misionet hapësinore, aviacionin dhe operacionet satelitore,” njoftoi SWPC.

Stuhitë hapësinore të tetorit 2003 shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në Suedi dhe dëmtime serioze të transformatorëve në Afrikën e Jugut, duke rritur shqetësimet për ndikimet e mundshme edhe këtë herë.

Ekspertët paralajmërojnë se, kur stuhitë e rrezatimit diellor arrijnë në Tokë, ato mund të rrisin rrezikun e ekspozimit ndaj rrezatimit për astronautët në orbitën e ulët të Tokës, përfshirë ata në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, si dhe për pasagjerët e fluturimeve që ndjekin rrugë polare.

Përveç ndikimeve teknologjike, stuhitë diellore mund të shkaktojnë shfaqje spektakolare të aurorës në hemisfera të ndryshme të globit. SWPC ka njoftuar linjat ajrore, NASA-n, Administratën Federale të Aviacionit, Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave dhe operatorë të tjerë kritikë të infrastrukturës për t’u përgatitur ndaj pasojave të mundshme.

“Kemi ndërmarrë të gjitha kontaktet e nevojshme për t’u siguruar që operatorët e infrastrukturës teknologjike kritike janë të informuar për situatën aktuale,” deklaroi SWPC.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimet: 20.01.2026* *ÇAGLLAVICË - (Në të dy anët e rrugës)…