Stuhi e madhe e borës në Nju Jork, ndalohet qarkullimi i automjeteve – parashikohen reshje deri në 70 centimetra
Guvernatorët e Nju Jorkut, Nju Xhersit, Konektikatit dhe Masaçusetsit lëshuan urdhra për gjendje të jashtëzakonshme dhe ndalimin e udhëtimeve, pasi një stuhi e madhe pritej të sillte deri në 70 centimetra borë dhe erëra të forta në rajon.
Kryetari i Nju Jorkut, Zokhran Mamndani, njoftoi se ndalimi do të hyjë në fuqi nga ora 21:00 e së dielës deri në mesditë të së hënës, duke paralajmëruar se rrugët, autostradat dhe urat do të jenë të mbyllura për qarkullimin, me përjashtim të udhëtimeve emergjente dhe të domosdoshme.
“Qyteti nuk ka përjetuar një mot kaq të rëndë për dhjetë vitet e fundit,” tha Mamndani, duke u bërë thirrje banorëve të shmangin çdo lëvizje jo të nevojshme.
Sipas parashikimeve, bora mund të arrijë nga 45 deri në 60 centimetra, ndërsa në disa zona mund të kalojë edhe 70 centimetra. Parashikohen gjithashtu erëra të forta që mund të përkeqësojnë situatën.
Ndërkohë, guvernatorja e Masaçusetsit, Maura Healey, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka aktivizuar deri në 200 anëtarë të Gardës Kombëtare për të ndihmuar. Shteti gjithashtu kufizoi udhëtimet jo-thelbësore që nga mbrëmja e së dielës.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, aktivizoi 100 anëtarë të Gardës Kombëtare për t’u vendosur në Long Island, New York City dhe Luginën e Poshtme të Hudsonit.
Rreth 15,247 fluturime u vonuan deri në orët e para të pasdites të së dielës dhe 3,509 u anuluan. Numri më i madh i anulimeve ishte në aeroportet JFK, La Guardia dhe Newark.



