
Sukses historik, Kosova U19 e pesta në Evropianin në Gjeorgji
Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll e ka përfunduar të dielën paraqitjen në Kampionatin Evropian në Telavi të Gjeorgjisë.
Hendbollistet e Kosovës U19 përfunduan në pozitën e pestë të Evropianit B, që është suksesi më i madh i ekipeve tona kombëtare për grupmosha të reja në kampionate kontinentale.
Kosova U19 e përfundoi Kampionatin Evropian B me katër fitore e dy disfata.
Në fazën grupore vajzat tona fituan bindshëm ndaj Bullgarisë dhe Gjeorgjisë. Ndërkohë pësuan nga Ukraina dhe Sllovakia, finalistet e Evropianit. Vetëm në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Ukrainës paraqitja e Kombëtares sonë nuk ishte në nivelin e pritur. Me Sllovakinë, vajzat tona luajtën ndeshje të fortë dhe të barabartë, ndonëse pësuan në fund.
Pasi u mungoi fati për kualifikim në gjysmëfinale, hendbollistet tona të reja shënuan dy fitore për të përfunduar në pozitën e pestë.
Fillimisht fituan 35:26 ndaj Izraelit e të dielën fituan edhe ndaj Luksemburgut.
Në ndeshjen ndaj Luksemburgut, Kosova U19 fitoi me rezultat 25:21.
Arjeta Imeraj ishte më efikasja me 7 gola. Nga 4 i shënuan Orgesa Gola e Diona Dresh. Por të gjitha lojtaret dhanë kontribut në fitoren e rëndësishme.
Federata e Hendbollit e Kosovës uron vajzat dhe shtabin teknik për këtë sukses.