Suksesi UÇK

02 tetor 2025 | 18:29

Besim Qeriqi

Vlerësimi objektiv i Luftës së UÇK-së kërkon një analizë të thelluar të kornizës historike dhe ushtarake. Kjo analizë, para së gjithash duhet të mbështetet te guximi i djemve dhe vajzave që kapën pushkën e luftuan për liri, në një kohë kur errësira e dhunshme kishte përfshirë Kosovën.

Gjatë viteve të ’90-ta, si pasojë e masave të dhunshme të regjimit serb, shqiptarët vit pas viti humbën guximin reagues dhe protestues, të cilin e kishin treguar në demonstratat e viteve 1968, 1981, 1988, 1989 dhe atyre të pranverës së vitit 1990.

​Në këtë periudhë të heshtjes, ku orientimi i politikës kosovare ishte paqësor, ishte pikërisht vendimi i këtij grupi të vogël për t’u ngritur e për të luftuar kundër regjimit serb, që përbën fitoren e parë të tyre: mundjen e frikës.

UÇK-ja, qysh në fillimet e saj, kishte një synim të dyfishtë: nga njëra anë, t’u tregonte forcave policore serbe se ishin në vend të huaj dhe nga ana tjetër, t’i jepte popullsisë shqiptare mesazhin se rezistenca ishte e mundur dhe se dhuna e brutaliteti serb nuk do të mbetej pa u ndëshkuar.

Kthesa ndodhi me protestat studentore të 1 tetorit 1997 dhe me daljen publike të UÇK-së më 28 nëntor 1997. Këto dy ngjarje e çuan rezistencën në një fazë edhe më aktive dhe më të vendosur.

​Pra, UÇK-ja ishte një lëvizje e guximshme, ku grupe idealistësh u bashkuan nga dëshira për liri. Shumica prej tyre kishin vite që ishin në shërbim të atdheut. Të burgosur e ilegalë, studentë apo bujq, ata dhe ato që e nisën këtë rrugëtim e dinin se mund të vriteshin, se po i rrezikonin familjet e tyre; mirëpo i mbante shpresa se kushdo që do të mbijetonte, do t’i shijonte frytet e lirisë.

Megjithatë, ajo nuk ishte një ushtri e rregullt dhe si e tillë, nuk mund të kishte strukturën komanduese që do të kishim dashur të kishte sot, pas 26 vitesh liri.

Gjykuar nga perspektiva reale kohore, një parim themelor i shkrimit të historisë, krijimi i një ushtrie konvencionale (siç po kërkohet në ditët e sotme) ishte i pamundur për disa arsye thelbësore. Së pari, Kosova nuk kishte ‘Mbrojtje Territoriale’ siç kishin republikat e tjera kur filluan luftërat në Jugosllavi, pasi kjo e drejtë i ishte hequr që pas demonstratave të vitit 1981. Gjithashtu, nuk kishte as policinë e vet, sepse regjimi serb e kishte pezulluar atë me masa të dhunshme nga marsi deri në qershor të vitit 1990. Për më tepër, për gati një dekadë, shqiptarët nuk kishin qenë pjesë e shërbimit ushtarak, gjë që e bënte të pamundur organizimin e një ushtrie të rregullt dhe të stërvitur. Përveç kësaj, mungonte një mbështetje mbarëpopullore, sepse numri i atyre që iu bashkuan UÇK-së ishte i vogël në krahasim me ushtrinë kundërshtare serbe.

Në një realitet të tillë, strategjia e UÇK-së u fokusua në luftën guerile duke shmangur një konfrontim frontal me një ushtri shumë herë më të madhe dhe të pajisur me armatim modern.

Pavarësisht këtyre sfidave, të cilat për shumëkënd ishin të pakapërcyeshme, UÇK-ja, përmes aksioneve të saj guerile të tipit “sulmo-tërhiqu”, arriti ta ndërkombëtarizonte çështjen e Kosovës, duke e transformuar atë në njërën nga temat më urgjente për t’u zgjidhur në fillim të vitit 1998.

​Lufta mori një kthesë frymëzuese pas flijimit të pashembullt të Familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Prijësi i UÇK-së, Adem Jashari dhe familja e tij, u bënë një shembull i vetëmohimit për liri, duke i dhënë luftës një dimension të ri moral dhe patriotik. Jehona e Prekazit rezonoi thellë te populli, duke e kthyer qëndresën në një çështje të përbashkët. Kjo çoi në një rritje masive të numrit të atyre që iu bashkuan UÇK-së, ndërsa populli filloi të besojë se liria e shumëkërkuar, këtë herë, mund të arrihej.

​Kulmi i këtij suksesi u arrit në Konferencën e Ramujesë dhe Parisit gjatë shkurt-marsit të vitit 1999, ku delegacioni shqiptar arriti t’i tejkalonte ndasitë politike dhe bindi SHBA-në dhe NATO-n për drejtësinë e kauzës së tyre, fillimisht për liri e më pas edhe për pavarësi.

*Autori ka doktoraturuar në Universitetin e Zagrebit me temën “Lufta në Kosovë”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja së bashku me…