
Sulm me dronë rusë në Kharkiv, 27 të plagosur
Të paktën tre fëmijë ishin midis 27 personave të plagosur si pasojë e një sulmi me dron rus në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, gjatë natës, që dëmtoi apartamente dhe një çerdhe, thanë autoritetet ukrainase të hënën.
Kharkivi, i cili shtrihet në verilindje të Ukrainës pranë kufirit me Rusinë, ka qenë shënjestër e sulmeve të rregullta ruse me dron dhe raketa që nga fillimi i luftës që Moska nisi me një pushtim në shkallë të plotë më shumë se tre vjet më parë.
Një zjarr shpërtheu në një ndërtesë banimi shumëkatëshe në Kharkiv si pasojë e sulmit, tha kryebashkiaku Ihor Terekhov, raporton Reuters.
Oleh Sinehubov, guvernator i rajonit më të gjerë të Kharkiv, qendra administrative e të cilit është qyteti i Kharkiv, tha se shumica e lëndimeve ndodhën në lagjen Shevchenkivskyi të qytetit.
Shërbimet e emergjencës po punonin në vendngjarje, tha Sinehubov në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Shkalla e plotë e sulmit nuk ishte menjëherë e qartë. Nuk pati komente mbi sulmet nga Moska. Të dyja palët mohojnë se kanë synuar civilët në luftë, por mijëra civilë kanë vdekur në konflikt, shumica dërrmuese e të cilëve janë ukrainas.