
Sulmet e reja izraelite, CNN: U goditën zonat e populluara dendur të Teheranit
Po dalin më shumë detaje lidhur me sulmet izraelite të pasdites së sotme në Teheran, me zona të populluara dendur të kryeqytetit iranian që janë vënë në shënjestër, mëson CNN.
Ato përfshijnë tre kryqëzime të ngarkuara në qytet: Sheshi Tajrish dhe Sheshi Quds, Rruga Shariati dhe Sheshi Valiasr.
Tajrish është vendndodhja e një qendre të madhe tregtare, ndërsa Rruga Valiasr konsiderohet një nga arteriet kryesore dhe qendrat tregtare të Teheranit.
Goditja në Sheshin Quds në Tajrish ndodhi 50 metra larg Spitalit Shohada, një qendër e madhe shëndetësore në pjesën veriore të Teheranit.
Pamjet filmike që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe që janë gjeolokuar nga CNN tregojnë shtëllunga tymi që ngrihen në qiell pas një goditjeje në një zonë të dendur të qytetit pranë Rrugës Valiasr.
Pamje të marra nga Sheshi Quds tregojnë një person të plagosur që po transportohet me barrelë drejt një automjeti emergjence. Kamera fokusohet më pas drejt dritareve të thyera të një ndërtese aty pranë.
Pamje të tjera tregojnë tym pranë ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë në Teheran.
Ushtria e Izraelit më herët ka deklaruar se po shënjestronte komplekse ushtarake dhe bërthamore në Iran, megjithatë nuk ka komplekse të tilla të njohura në këto zona të kryeqytetit.