
Sulmi ndaj gazetarëve në Zubin Potok, reagon Policia e Kosovës
26 dhjetor 2022
| 16:00
Policia e Kosovës ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj ekipit të gazetarëve të televizionit “Klan Kosova” në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
Sipas policisë, sulmi ndaj tyre dyshohet se është kryer nga disa persona të maskuar, të cilët me mjete të forta (gurë) kanë sulmuar automjetin e mediumit dhe gazetarët të cilët ishin në detyrë.
“Si pasojë e sulmit, vetura ka pësuar dëme materiale, përderisa dy nga personat/gazetarët e mediumit kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor. Lidhur me rastin Policia e Kosovës, po kryen hetime me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.