
Sulmohet autobusi i KB Bashkimit, reagon klubi prizrenas
Pas ndeshjes së mbrëmshme ndaj KB Pejës është sulmuar me gurë autobusi i lojtarëve të KB Bashkimit, ka bërë të ditur klubi prizrenas përmes një postimi në “Facebook”.
Fatmirësisht nuk ka pasur lojtarë të lënduar nga ky sulm, transmeton Koha.net. E gjithashtu të dyja klubet e kanë dënuar këtë sulm.
“Autobusi që bartë lojtarët tanë është sulmuar me gurë nga disa persona pas ndeshjes në dalje të qytetit të Pejës. Gurët e hedhur kanë dëmtuar pjesën e përparme dhe anësore të autobusit, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur pasoja tek lojtarët dhe ekipi. Sulmi ka ndodhur derisa autobusi i ekipit ka qenë i përcjell nga policia, e cila menjëherë ka bërë raportimin e rastit”, thuhet në reagimin e skuadrës prizrenase.
KB Bashkimi thotë se kjo është hera e dytë që sulmohet autobusi i ekipit, pasi që më parë kishte ndodhur një incident të tillë edhe në Mitrovicë.
“Ftojmë Federatën e Basketbollit të Kosovës që t’i ketë parasysh këto rastet dhe të merr masat e duhura për parandalimin e sulmeve të tilla edhe në të ardhmen. Aktet e tilla nuk i përkasin basketbollit dhe duhet të dënohen menjëherë”, shkruan KB Bashkimi.