
Sulmohet kamioni me ushqime në Gaza, 20 të vrarë
20 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë natës kur një kamion që transportonte mallra për në Gaza u përmbys në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të enklavës.
Ende nuk është e qartë nëse kamioni ishte i destinuar për tregtarët apo për një organizatë humanitare.
Sipas gazetës nga Katari, Al-Araby Al-Jadeed, kamioni u përmbys pasi një turmë u mblodh rreth automjetit, duke e detyruar atë të devijonte në një rrugë të pasigurt, duke shkaktuar aksidentin.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i OKB-së paralajmëroi se zgjerimi i operacioneve ushtarake izraelite brenda Gazës do të rrezikonte “pasoja katastrofike”.
“Zgjerimi i luftës do të rrezikonte pasoja katastrofike për miliona palestinezë dhe mund të rrezikonte më tej jetën e pengjeve që mbeten në Gaza”, tha Miroslav Jenca, Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Gaza ose për konfliktin më të gjerë izraelito-palestinez”, shtoi ai.
Në të njëjtin takim, Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar, kritikoi vendet perëndimore për njoftimin e qëllimit të tyre për të njohur së shpejti një shtet palestinez.
“Këto vende duhet të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre. Unë paralajmërova që në këtë fazë se njohja e një shteti virtual palestinez do të shkatërronte mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për pengjet dhe një armëpushim. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi,” akuzoi Sa’ar.